Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se integrimi euroatlantik i Kosovës është rruga për të garantuar siguri e përparim duke nënvizuar se qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor është thelbësore për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, posaçërisht pas agresionit të Rusisë së Vladimir Putinit në Ukrainë.
“Për Kosovën, ne e kuptojmë se urgjenca e integrimeve euroatlantike është e qartë dhe e dukshme, është rruga për të garantuar siguri, përparim dhe liri demokratike që të gjithë qytetarët i dëshirojnë. Kjo është gjithashtu thelbësore për atë që ne të gjithë po përpiqemi të bëjmë së bashku, që është përparimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon”, tha ambasadori Hovenier.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ajo ndërhyrje është dëshmi se kur komuniteti ndërkombëtar vepron i bashkuar dhe me vendosmëri, mund t’u bëjë ballë forcave të errëta dhe tiranisë.
“Fatkeqësisht këto forca të errëta janë ende shumë aktive edhe sot. Në çdo ditë që kalon Serbia nuk heziton të na kujtoj qëllimet e saj të vërteta. Serbia, aleatja e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar të kthej rajonin në vitet e ’90-ta. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë çdo gjë që kemi arritur përgjatë këtyre viteve. Ata mendojnë se sulmi ndaj Kosovës nuk është vetëm sulm ndaj një shteti fqinj, por edhe ndaj NATO-s, ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe sukseseve tona të përbashkëta si dhe kundër vlerave themeltare të komunitetit euroatlantik”, tha presidentja Osmani.
Me 24 mars të vitit 1999 NATO-ja filloi një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe për t’i dhënë fund luftës në Kosovë që la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe rreth 5 mijë të zhdukur.
Ambasadori amerikan Hovenier, ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që të mos lejohet asnjëherë më përsëritja e ngjarjeve të vitit 1999 në Kosovë.
“Ne mbesim të përkushtuar në mbështetje të misionit të NATO-s në Kosovë për qëndrueshmëri, KFOR-it. Kjo forcë numëron disa qindra trupa amerikane dhe unë nuk mund të mendoj për një qëndrim më të qartë, të dukshëm dhe përfundimtar të përkushtimit dhe synimit të Shteteve të Bashkuara”, tha ambasadori Hovenier.
E pyetur nga gazetarët mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani tha se Kosova ka bërë çdo gjë që është kërkuar për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare.
“Janë disa hapa që kanë mbetur por çfarë mund të them është që të gjitha nivelet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë angazhuar me deputetët e asambleve parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtetet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve dhe siç e dini Kuvendi i Kosovës po punon me deputetët individual”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në këtë Këshill është i rëndësisë së posaçme meqë qytetarët në Kosovë janë të vetmit që ende nuk kanë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo hodhi poshtë pretendimet se Kosovës në këtë periudhë i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se ky është një detyrim pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës/voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...