Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur.
Duke folur për gazetarë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, mund të nxisë tensione etnike në vend.
“Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani.”, tha Hovenier.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se zbatimi i rregullores, e cila hyri në fuqi sot, për pagesat me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, pa treguar sa do të zgjasë kjo.
Hovenier tha se shpreson se Qeveria e Kosovës do ta gjejë një mënyrë “për ta kuptuar atë që e ka thënë Bislimi, që të ketë periudhë tranzicioni gjatë të cilës të kuptohen sfidat para se të zbatohet plotësisht”.
Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.
Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.
Hovenier shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ndalimi i dinarit mund të ketë te serbët e Kosovës.
“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai./rel
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës