Hovenier: Kosova ka zotime nga partnerët se kur ta dorëzojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, gjëra pozitive do të ndodhin

21:24 | 10 Dhjetor 2024
K.B

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur kërkesën që Qeveria e Kosovës ta dërgojë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës.

Hovenier ka thënë se kur Kosova ta marrë këtë hap, ka zotime nga partnerët që gjëra pozitive do të fillojnë të ndodhin për vendin.

“Presim që qeveria e Kosovës të ecë përpara. Kërkesa jonë aktuale është se meqenëse ekziston një draft-statut i mirë i hartuar nga Bashkimi Evropian që Shtetet e Bashkuara e mbështesin, si edhe Gjermania, Franca dhe Italia në një nivel shumë të lartë, që i gjithë bëri edhe tërë Bashkimi Evropian. Meqenëse është kjo pyetje nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo, ne besojmë se ka një mënyrë vërtet të lehtë për të gjetur përgjigjen, e cila është ta dorëzoni atë në Gjykatën Kushtetuese dhe kur Kosova ta marrë atë hap, ajo tashmë ka marrë zotime nga partnerët e saj që një numër i gjëra pozitive do të fillojnë të ndodhin për Kosovën. Shpresoj se qeveria e Kosovës do ta marrë atë këshillë dhe do të veprojë”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për ATV.

Ai ka theksuar se Asociacioni nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive.

“Nuk duhet të jetë një Republikë Srpska ose entitet i ngjashëm me Republika Srpska. Nuk duhet të kërkojë ndonjë ndryshim në Kushtetutën e Kosovës siç ekziston aktualisht. Duhet të jetë një mekanizëm me anë të të cilit këto komuna i bashkërenditin çështjet mes tyre se si do të ushtrojnë funksionet që tashmë i kanë sipas kushtetutës suaj, gjëra të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor, ndarja e zonave, përdorimi i tokës, zhvillim ekonomik, gjëra të tilla.”, ka shtuar Hovenier.

Duke përmendur udhëheqësinë e re të Bashkimit Evropian dhe takimet e fundit, Hovenier ka thënë se duket qartë se ka interes për zgjerim dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin atë.

Ai ka përmendur Planin e Rritjes.

“Është e qartë se Bashkimi Evropian ka sjellë një nismë vërtet të rëndësishme, Planin e Rritjes, që ofron mundësi të mëdha për Kosovën për të ndihmuar në nxitjen dhe sigurimin e reformave të suksesshme. Mund të them se edhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë atë që mundemi për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe begatinë në këtë rajon. Por, e kam të vështirë të them se si do të duket kjo”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Të ngjashme