Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka ndarë momente nga provat me Filharmoninë e Kosovës, në përgatitje të koncertit të quajtur “Koncert per Paqe”, i cili do të mbahet nesër.
Hovenier kësaj radhe do të ngjitet në skenë dhe do të jetë i përfshirë në koncert, teksa ndau lëvdatat e tij për muzikantët e këtij institucioni.
“Ishte kënaqësi të bëja prova me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës në përgatitje për një koncert publik nesër në mbrëmje, më 6 korrik, në Sheshin Skënderbeu. Unë jam i frymëzuar nga talenti dhe përkushtimi i këtyre muzikantëve të mrekullueshëm kosovarë”, ka shkruar ai.
Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, teksa do të jetë përkujtim për dy përvjetorë të rëndësishëm: 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Koncert për Paqe” do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).
Sponsor medial do të jetë Radiotelevizioni i Kosovës.