Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
“Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të”.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Hovenier është pyetur edhe nëse ekzistojnë afate kohore për zbatim të këtij draft-statuti.
Ai ka thënë se duhet vlerësuar angazhimin e madh të zyrtarëve më të lartë të vendeve evropiane për këtë proces, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
“Ata i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë ta shohim”, ka thënë mes tjerash Hovenier.
Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt të këtij viti në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Më pas, në mars, në Ohër, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi.
Në një pikë të marrëveshjes përmendet edhe nevoja për formim të një niveli të vetëmenaxhimit të serbëve në Kosovë, referencë për Asociacionin.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Çfarë ka thënë Kurti për draft-statutin?
Kurti ka raportuar më 3 nëntor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dokumentin, por ka insistuar se është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj.
“Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, ka thënë ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.
Sipas tij draft-statuti sqaron situatën në lidhje me njohjen e Kosovës dhe “e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”.
Sipas tij, parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Çfarë ka thënë Vuçiqi?
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk mund të flasë në publik për hollësitë e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se dokumenti është “bazë e mirë për të ardhmen”.
“E shihni, ne u sollëm shumë korrekt dhe asnjë hollësi apo ndonjë gjë tjetër nuk doli askund në gazeta, sepse kjo është marrëveshja”.
Më 26 tetor, Vuçiqi ka thënë se është plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit por, shtoi se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës.
Më pas, më 2 nëntor ai ka përsëritur se “është gënjeshtër se është i gatshëm të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës”.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./rel/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...