Google ADS

Hoti në Prekaz: Kauzën e Adem Jasharit do ta bëjmë realitet

14:46 | 5 Qershor 2017
Arbresh.info

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që ka zhvilluar në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,  ka thënë të hënën se kauzën e komandantit Adem Jashari, për një Kosovë të lirë dhe të zhvilluar do ta bëjmë realitet.

“Kauza e Komandantit Adem Jasharit ka qenë një Kosovë e lirë, sovrane dhe e zhvilluar, ku fëmijët tanë rriten si gjithë fëmijët e botës. Programi ynë për një Kosovë demokratike, sovrane dhe të zhvilluar ekonomikisht, ku secili i ri ka një vend pune, është edhe synim i yni që do ta bëjmë realitet gjatë mandatit katërvjeçar”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se edhe qeveria e kaluar, edhe qeveria e re e Koalicionit të djathtë do të financojë projektet që kanë të bëjnë me ruajtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Respekti më i madh që i bëjnë ne sot Komandantit Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënë në luftë, është që ta ndërtojmë një Kosovë sovrane, me integritet territorial, të zhvilluar ekonomikisht dhe të respektuar në arenën ndërkombëtare. Programi ynë qeverisës bazohet pikërisht në këtë synim, formimi i shtetësisë dhe zhvillimi i vendit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se LDK dhe partnerët e koalicionit e vlerësojnë lartë kontributin e familjes Jashari dhe gjithë familjet e dëshmorëve.

Sipas Hotit qëllimi i tij është që kujdesi për vlerat e luftës të jetë institucionale dhe jo për interesa ditore politike.

“Nderi më i madh që ju bëjmë dëshmorëve sot është që ne t’i kryejmë punët tona shtetërore dhe institucionale, për ta forcuar dhe zhvilluar shtetin, pa krim dhe korrupsion me një perspektivë të qartë të integrimit të vendit në Evropë”, ka thënë Hoti./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme