Deputeti i LDK-së, njëherësh shefi i grupi parlamentar i kësaj partie Avdullah Hoti, në një intervistë për portalin Arbresh.info ka folur për proceset e lëna në gjysmë si demarkacioni, liberalizimi, asociacioni e procese tjera duke thënë se nuk shpreson që do të përfundojnë as më 2018. Hoti po ashtu ka folur edhe pasardhësin e tij, Bedri Hamza në dikasterin e financave dhe udhëheqjen e tij në këtë ministri duke e krahasuar me udhëheqjen e vet sa ishte ministër. Deputeti më i votuar LDK-së ka treguar se sa është dorështrënguar lidhur me financat duke përmendur edhe menaxhimin e tyre sa ishte udhëheqës i Ministrisë së Financave. Hoti është rrëfyer edhe për kandidaturën e mundshme të tij për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Arbresh.info: Si e cilësoni vitin 2017 në të gjitha aspektet për Kosovën?
Avdullah Hoti: Mendoj që ka qenë një vit specifik për nga zhvillimet që kanë ndodhë, zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet lokale, formimi i një Qeverie që i ka bllokuar shumë procese. Besoj që më shumë është vështirësuar procesi i integrimit të Kosovës dhe një përspektive të Kosovës drejt BE-së sesa që është përmirësuar gjatë këtij viti. Viti po përmbyllet faktikisht me disa veprime politike jo të matura që lëkundin partneritetin e Kosovës me miqtë tanë.
Arbresh.info: Shumë procese u lanë në gjysmë, disa mbetën për 2018 si demarkacioni, liberalizimi, asociacioni e çështje tjera. A mendoni se viti 2018 do të jetë vit ku këto procese do të përfundojnë?
Avdullah Hoti: Nuk ma merr mendja. Asnjëra nga këto temat e mëdha nuk ka marrë udhë gjatë vitit 2017 dhe nuk duket me këtë konspiracion të forcave politike në vend në veçanti prej koalicionit qeverisës që ndonjëra prej këtyre temave të mëdha mund të zgjidhet. Besoj që këtij vendi i duhet një konsensus i gjerë politik për t’i adresuar këto çështje. Do të duhej një qeveri krejt tjetër për t’i adresuar këto çështje.
Arbresh.info: A mendoni se ministri i ri i financave po udhëheq në rrugën si e udhëhoqët ju këtë ministri?
Avdullah Hoti: Puna e ministrave varet në masë të madhe prej të parit të Qeverisë. Rezultatet, suksese e ministrave varen së pari nga programi i Qeverisë, nga kryeministri që e përcakton drejtimin e gjërave. Mendoj që nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt kështu. Ne kemi pasur një program të qartë qeverisës për periudhën sa kemi qeverisur. Në krye të Qeverisë ka qenë një person, kryeministri Isa Mustafa që i ka pasur të qarta orientimet se nga duhet të shkojë vendi, shoqëria kosovare. Tani është një qeveri krejt tjetër me orientime të tjera, drejt me të thënë e bërë copë-copë nga partnerët e vegjël pa ndonjë program që është si bazament i fushë-veprimit. U bënë tre muaj më shumë se 100 ditë qeverisje dhe nuk është që mund të shohim qartë efektet e punës së tyre, sepse për 100 ditë as drejtim nuk mund t’iu japësh gjërave.
Arbresh.info: Në aspektin e buxhetit me këtë Qeveri u miratuan disa vendime që u cilësuan nga të tjerët se e rëndojnë buxhetin, sikurse vendimi për rritjen e pagave. Si e cilësoni këtë vendim?
Avdullah Hoti: Në mandatin e kaluar ne patëm punuar bukur shumë në ligjin për pagat në sektorin publik. Është rregulluar mënyra e përcaktimit të pagave për 80 mijë veta në sektorin publik. Ligji ka qenë i gatshëm dhe është dashur të procesohet ai ligj sepse i përcakton shkallët e pagave, koeficientet dhe nuk lë diskrecion mandej për veprime të tilla. Po ashtu ne atëherë kemi amendamentuar edhe ligjin për menaxhimin e financave publike ku kemi përcaktuar mënyrën se si rrjedhin pagat në sektorin publik në baza ditore në përputhje me zhvillimin ekonomik. Është dëm që nuk po shkon më përpara ky ligj që do i vinte kapak kësaj çështje sepse mënyra se si po menaxhohet tani kjo çështje mendoj se do të ketë efekte të mëdha.
Arbresh.info: Si ministër i financave sa ishit u cilësuat në njëfarë forme dorështrënguar në ndarjen e mjeteve. A jeni edhe në jetën reale i tillë?
Avdullah Hoti: Nuk besoj që kam qenë dorë-shtrëngues. Jam ministër që e kam bërë buxhetin 2 miliard euro që i kemi rritur shpenzimet kapitale për 50 për qind, që i kemi rritur të hyrat buxhetore bukur shumë, që kemi rritur investimet në infrastrukturë, në sektorë gati që i kemi dyfishuar nga ato që i kemi gjetur në vitin 2014, pra nuk janë veprime të një ministri dorë-shtrëngues. Përkundrazi një menaxhimi efikas për tu siguruar që një buxhet që është 500 milionë më i madh sesa që ne e kemi gjetur të shpërndahet nëpër sektor aty ku ka nevojë më së shumti.
Arbresh.info: Tani që do të jenë zgjedhjet partiake brenda LDK-së, po përmenden disa emra për të parin e LDK-së. A mund të jetë emri juaj diku aty?
Avdullah Hoti: Po më vjen keq që po hapet ky debat kaq herët. Zgjedhjet e partisë janë në maj të vitit 2019 ku bëhen 4 vjet nga zgjedhjet e fundit. LDK-ja e ka kryetarin, i ka strukturat e veta. E ka kryetarin që e ka nxjerrë partinë të parën në zgjedhjet e fundit lokale. Unë besoj që me performancën që ka treguar kryetari Mustafa ndoshta mund të vazhdojë edhe një mandat tjetër, pse jo, pasi që është i pari kryetar i LDK-së që e nxjerrë LDK-në si të parën parti në Kosovë nga vdekja e Presidentit Rugova.
Arbresh.info: Urimi juaj për fundvit për qytetarët e vendit?
Avdullah Hoti: Pres që të kemi më shumë konsensus në çështjet që janë me rëndësi vitale për qytetarët e vendit. Fatkeqësisht viti po mbyllet pa këtë konsensus, pa qenë në gjendje që forcat politike deputetët, Qeveria, Kuvendi, institucionet tjera që kanë marrë besimin e qytetarëve nuk janë duke punuar plotësisht në funksionon në mandatin që kanë marrë. Kemi parë raste që është eksperimentu me vullnetin e qytetarëve dhe besoj që gjatë vitit 2018 nuk përsëriten këto por punët e mëdha marrin udhë përfundimisht dhe qytetarët shohin një përspektive krejt tjetër në Kosovë./Valdete Berisha/Arbresh.info
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...