Google ADS

Hoti thotë se nënshkrimet për rrëzimin e Haradinajt i ka në zyre

18:30 | 19 Shkurt 2019
Arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nënshkrimet për rrëzimin e Ramush Haradinajt nga qeveria i ka në zyrën e tij, megjithatë thotë se ende nuk i kanë mbledhur 61 të tilla.

Ai ka thënë se secila parti politike që është e interesuar për rrëzimin e Qeverisë e ka derën e hapur, duke mos përjashtuar as Listën Serbe. Por thotë se nuk do të pranon koncesione karshi “Srpskas” në këmbim të votave të tyre për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne kemi një listë të nënshkrimeve në zyrën time. Ende nuk i kemi 61. Në momentin që një parti politike interesohet për t’i bërë. Nënshkrime te Listës Serbe nuk janë në këtë listë, sepse po të ishin do të ishte punë e kryer. Ata nuk i japin këto nënshkrime pa ndonjë koncesion, por ne nuk jemi të gatshëm që të bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Hoti në T7.

Sipas Hotit situata aktuale politike në Kosovë është shumë e komplikuar, pasi as Qeveria nuk i ka 61 vota për të qeverisur, e as opozita për ta rrëzuar Haradinajn.

Deputeti i LDK’së thotë se sa më parë që të largohet kjo qeveri e keqpërdorimeve, do të jetë më mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Sa më shpejtë të përmbyllet kjo qeveri e papërgjegjshme, aq më mirë për Kosovën. Në javët e ardhshme. Në atë moment që ne i kemi 61 vota në Qeveri, do të bëjmë menjëherë. Për momentin situata është shumë komplekse. Qeveria nuk i ka numrat e nevojshëm për të qeverisur. Opozita gjithashtu nuk i ka 61 vota për të quar përpara mocionin e votëbesimit, dhe kjo po shfrytëzohet për këtë qeverisje të papërgjegjshme”, ka shtuar ai.

Për PSD’në e Shpend Ahmetit thotë se me afrimin me pushtetin, po e mundëson keqqeverisjen në vend, megjithatë thotë se nuk ndjehen më të dobët pa PSD’në.

“PSD-ja një farë mënyre është bërë pjesë e kësaj qeverie, duke e mundësuar keqqeverisjen. Nuk janë shuar shpresat e opozitës, sepse jemi më të fortë se qeveria. Asnjë proces nuk mund të shkojë përpara pa opozitën”, thotë Hoti.

Ai ka pasur edhe vërejtje të shumta sa i përket dialogut, duke thënë se të gjithë krerët e institucioneve flasin krye në vete për këtë çështje.

“Mishmash i vërtetë. Nuk dihet se kush flet në emër të shtetit të Kosovës. Prandaj ne po kërkojmë një qeveri legjitime, ku flet vetëm kryeministri”, potencon zyrtari i lartë i LDK’së, raporton Gazeta Express.

Sa i përket vendimit për taksën, Hoti thotë se ai është marrë përmes konsultimeve në telefon dhe pa asnjë konsultim me ndërkombëtaret.

“Taksa është vendos duke u konsultuar përmes telefonit. Padyshim është një masë që e ka mëritur Serbia, është masë e lehtë, sepse ka masa edhe më të rënda. Mënyra se si është vendosur norma e taksës. Pastaj ka filluar lufta për merita. Pa asnjë konsultim me ndërkombëtarët”, shton ai.

Ndërkohë për raportet me shtetet mike, ai thotë se Kosova në gjithë këto 30 vjet përpjekje për liri e pavarësi nuk ka qenë në pikë më të ulët të raporteve me ndërkombëtarët.

“Realisht unë mendoj që asnjëherë në 30 vjetët për përpjekjet për pavarësi, asnjëherë nuk kemi qenë në një pikë kaq të ulët të raporteve më ndërkombëtarët, fajtore është kjo qeveri. Krijimi i këtyre armiqësive, nuk ka bënë nder si shtet. Asnjëherë në këto 11 vite shtet, nuk kemi pas një qeveri më të dobët”, ka shtuar deputeti Hoti.

Sa u përket shpenzime për pavarësi, Hoti ka thënë se do të kërkojnë përgjegjësi për gjithë ato para të keqpërdorura.

“ Nuk do të kisha thënë me mënyrën se si është organizuar. Sepse janë aktivitet protokollare. Por kemi qenë mjaft kritik për atë se si po shpërdorohet paraja publike. Aktivitetet krahasuar me vitin 2017 janë pothuajse të ngjashme, ndërsa buxheti i shpenzuar është dhjetë fish më i madh. Ne do të kërkojmë llogari se në cilat aktivitetet janë shpenzuar. Ky nuk është rasti i vetëm i shpërdorimit të parasë publike”, është shprehur Avdullah Hoti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme