Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka pritur në takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po qëndron në Kosovë.
Hoti përmes një postimi në Facebook, njoftoi se është diskutuar për situatën ekonomike në vend, shkruan Arbresh.info.
“Vitin e kaluar Kosova ka përjetuar krizën më të madhe të dekadës së fundit, të shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Kjo krizë ka shkaktuar një tronditje në jetën e qytetarëve dhe në kostot e bizneseve.”, ka shkruar Hoti.
Tutje, deputeti opozitar ia ka prezantuar delegacionit qëndrimin e LDK-së lidhur me zhvillimet ekonomike aktuale dhe të pritshme.
“Shpreha shqetësimin tonë si parti e djathtë, që mbështet konkurrencën e lirë dhe biznesin privat, për përkeqësimin e strukturës së buxhetit shtetëror, konkretisht për rënien e investimeve kapitale nga 23% në 15% të buxhetit, si dhe për rritjen e shpenzimeve për subvencione dhe transfere nga 32% në 42% të buxhetit. Një strukturë e tillë e buxhetit nuk e ndihmon ekonominë të përballet me sfidat nëpër të cilat po kalojmë.”, tha ai.
Ndër të tjera Hoti njoftoi se ka shprehur shqetësimet lidhur me vonesat në emërimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Bordit të Trustit Pensional, Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe trupave të tjerë shtetërorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e ekonomisë.
“Institucionet tona duhet të bashkëpunojnë ngushtë me FMN-në. Reformat kryesore ekonomike duhet të diskutohen gjerësisht me FMN-në dhe misionin që mbulon Kosovën. Përvoja e tyre është globale dhe, rrjedhimisht, shumë e vlefshme për vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës.”, shkroi ndër të tjera deputeti Hoti./Arbresh.info
Ish-lideri skocez: Elon Musk është një nga njerëzit më të rr...
Kurti mbledh ministrat
Pacolli uron një të premte të këndshme nga Dubai
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Ministrja Nagavci sot përuron çerdhen në fshatin Milloshevë ...
Kvaratskhelia i ka thënë tashmë Liverpoolit dhe Chelseat se ...