Hoti takohet me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, zotohen për thellim të bashkëpunimit

17:10 | 4 Nëntor 2020
Arditë Shkodra

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, është takuar sot në Romë me kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte.

 Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës. Gjithashtu ai ka kërkuar nga Kryeministri Conte mbështetjen e Qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

 Hoti me homologun italian Conte, kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes. Duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it, Kryeministri Hoti ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës që në një të ardhme sa më të shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës Veri Atlantike dhe ka kërkuar mbështetje për rritjen e kapaciteteve të FSK-së, transmeton arbresh.info

Gjatë takimit me Kryeministrin e Italisë Giuseppe Conte, Kryeministri Hoti ka insistuar po ashtu në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italian në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit.

Temë e veçantë diskutimi ka qenë bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë Covid -19.  Kryeministri Hoti, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarak italian që po qëndrojnë në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovar, në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë që ka theksuar solidaritetin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me familjet e viktimave nga Covid-19 në Itali./arbresh.info/

Të ngjashme