Google ADS

Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji

11:43 | 27 Dhjetor 2024
L G

Ish-kryeministri i Kosovës, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos investim në energjinë elektrike për këto katër vjet qeverisje.

Sipas tij, arsyetimet se nuk ka mungesë të energjisë elektrike, por mbingarkesë, janë të pa arsyetueshme.

“Katër vite në qeverisje. Asnjë kapacitet i ri energjetik nuk është ndërtuar. Projekti i gazit u anulua, i cili sot do të ishte funksional. Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm dalin me deklarime për përçudnuara se: “nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë”, “mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik” etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë”, shkruan Hoti në Facebook.

Madje, deputeti i LDK-së e përqesh ministren duke thënë se ajo po e luan rolin e zyrtarit për ankesa të qytetarëve, e jo të ministres përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë.

“Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë. Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji, që po përdoret masivisht për ngrohje”, përfundon Hoti./Arbresh.info/

Të ngjashme