Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për AFEDS, organizatë joqeveritare, që punon si nevojë e shqiptarëve për t’u bashkuar e kontribuar në zhvillimin e ekonomisë dhe në mbrojtjen e të drejtave në trevat e tyre autoktone në Serbi, ka folur për temat aktuale atje e në Kosovë, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve.
“Veprimet e shtetit të Serbisë në Luginën e Preshevës kanë qenë në vazhdimësi diskriminuese. Sido që e masim, tri komunat ku banojnë shqiptarët janë më të pazhvilluarat. Cilësia e infrastrukturës fizike, shëndetësore e arsimore është dukshëm më e dobët se në komunat e tjera në Serbi të ngjashme me komunat në Luginën e Preshevës. Investimet publike, që bëjnë ndryshim në cilësinë e jetë, kanë munguar për një kohë të gjatë në këto komuna”, tha Hoti.
Hoti i quajti shqetësuese veprimet e shtetit serb duke shlyer shqiptarët nga regjistri civil në ato komuna.
“Ky veprim administrativ është diskriminues dhe shkel të drejtat elementare njerëzore. Përmes këtij veprimi Serbia po mundohet të largojë shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Shumë familje tanimë kanë pësuar nga këto veprime, por këto metoda nuk do të kenë sukses. Këto veprimet duhet të ndalen menjëherë. BE-ja dhe vendet e tjera perëndimore duhet të reagojnë shumë më fuqishëm kundër këtyre veprimeve të Serbisë”, u shpreh Hoti.
Për këtë, Hoti tha se së pari, Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet shtetërore dhe diplomatike në mbrojtje të të drejtave elementare të shqiptarëve në ato troje.
Këto veprime, sipas tij, duhet të jenë të koordinuara.
“Rol të rëndësishëm mund të luajë në veçanti Shqipëria në diskutimet që bëhen në nivel të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Në veçanti duhet informuar dhe kërkuar mbështetje nga Uashingtoni, i cili e ka fuqinë dhe mekanizmin e nevojshëm për të disiplinuar Serbinë”.
“Së dyti, përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës në nivel qëndor dhe lokal duhet të jenë të unifikuar në veprimet e tyre politike karshi shtetit serb, të flasin të flasin me një zë dhe të jenë të koordinuar me Prishtinën dhe Tiranën, siç kanë qenë në të kaluarën. Në Luginë duhet të mbështeten organizatat e shoqërisë civile, të cilat duhet të jetë shumë të zëshme kundër çfarëdo padrejtësie dhe diskriminimi që iu bëhet shqiptarëve. Nganjëherë shoqëria civile, duke qenë jopolitike, është shumë më e fuqishme në sensibilizimin e padrejtësive ndaj shqiptarëve”.
“Së treti, Kosova dhe Shqipëria duhet të mbështesin në formë institucionale dhe konkrete shqiptarët në Luginën e Preshevës. Mbështetja duhet të jetë pjesë e planifikimeve zyrtare buxhetore në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të ekonomisë, të OJQ-ve, në kulturë dhe në fusha të tjera”, u shpreh Hoti.
Hoti ka folur edhe për atë se si gjatë mandatit të tij si kryeministër, u ka dalë në ndihmë shqiptarëve në Kosovën Lindore.
“Kam ndërmarrë këto veprime:
(1) Kam mbajtur komunikim të rregullt dhe korrekt me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë. I kam takuar ata vazhdimisht dhe u kam kërkuar të bashkërendojnë veprimet e tyre politike mes vete dhe të koordinohen me Prishtinën.
(2) E kam ngritur problemin e padrejtësive që u bëhen shqiptarëve në Luginë në takimet me partnerët tanë në Prishtinë dhe gjatë vizitave jashtë, në veçanti në SHBA.
(3) Gjatë qeverisë time e kemi themeluar “Zyrën për Luginën e Preshevës” në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kjo zyrë është themeluar në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe ka qenë pjesë e Rregullores së Qeverisë për Zyrën e Kryeministrit, ku është definuar mandati dhe detyrat e saj. Mandati i “Zyrës për Luginën e Preshevës” ka qenë që të koordinojë veprimet shtetërore të Kosovës në mbështetje të shqiptarëve në Luginë. Për vitin 2021, ne e kemi përgatitur dhe e kemi miratuar planin e punës të Zyrës, e cila do të koordinonte veprimet e të gjithë dikastereve qeveritare në mbështetje të Luginës. Sipas atij plani, dikasteret qeveritare duhet të bëjnë pjesë të planeve dhe veprimeve të tyre zyrtare mbështetjen për shqiptarët në Luginë”, u shpreh Hoti./Reporteri/
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare