Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për “Arbresh.info”, ka thënë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pikërisht për demarkacionin e ka djegur Kuvendin dhe tani të njëjtën marrëveshje e ka proceduar për në Kuvend për ratifikim.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të ishte ratifikuar qysh në vitin 2015 sikur partitë opozitare të mos përdornin siç ka thënë Hoti dhunë të shfrenuar.
Kurse sa i përket iniciativës së 22 dhjetorit për shfuqizim të ligjit për Gjykatën Speciale ai ka deklaruar se tendenca e tillë ka dëmtuar mjaft marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike, të cilat kanë kontribuar në shtet ndërtimin e Kosovës.
Ndërsa për publikimin e Strategjisë së Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor Hoti ka pohuar se Kosova ka edhe shumë punë për të bërë në mënyrë që të kalojë sfidat të cilat i ka vënë në dijeni Komisioni Evropian me anë të kësaj strategjie.
Sipas tij kjo qeveri nuk mund të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së kushteve për anëtarësim në BE.
Hoti në këtë intervistë ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme në LDK si dhe për gjendjen shëndetësore të Isa Mustafës.
Lexoni intervistën e plotë:
Arbresh.info: A prisni që demarkacioni të sillet shpejtë në seancë të Kuvendit të Kosovës dhe të votohet nga deputetët?
Hoti: Qeveria Haradinaj është krijuar për të ashtuquajturat vendime të mëdha. Vendimi i tillë është edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Për këtë marrëveshje, Haradinaj e ka djegur Kuvendin dhe tani të njëjtën e sjellë për ratifikim. Kjo nuk ka kuptim, megjithatë shpresoj të sillet sa më parë në seancë për votim dhe për hir të qytetarëve të cilët për arsye të kauzave të rrejshme të po vuajnë izolimin tash e tre vite.
Arbresh.info: A duhet të ketë vonesa të ratifikimit të kësaj marrëveshje kur dihet që është kusht për liberalizim të vizave?
Hoti: Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi do të ishte ratifikuar më 2015 sikur partitë opozitare të mos përdornin dhunë të shfrenuar. Ndërkaq tash sillet e njëjta marrëveshje për ratifikim nga ata që me dhunë e kundërshtuan. Por, duhet ditur edhe një gjë. Gjatë Qeverisë Mustafa, i vetmi kusht për liberalizimin e vizave ka qenë ratifikimi i kësaj marrëveshje, ndërkaq tani është kthyer edhe kushti i luftimit të korrupsionit. Kam frikë se qytetarët do të vuajnë akoma izolimin edhe pas ratifikimit të marrëveshjes. Kjo qeveri nuk është e aftë ta përmbush këtë kriter.
Arbresh.info: Si e komentoni “lojën” e tre liderëve të vendit për shfuqizimin e Speciales dhe pastaj tërhjekjen e tyre nga kjo kërkesë . A mendoni se kjo i ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët?
Hoti: Drama e 22 dhjetorit ka qenë një ndër ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Tendenca për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e krerëve të shtetit dhe më pas tërheqja e tyre dëshmon për qasjen e tyre karshi obligimeve ndërkombëtare, por edhe brishtësinë e tyre me përballjen eventuale me drejtësinë. Tendenca e tillë ka dëmtuar mjaft marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike, të cilat kanë kontribuar në shtetndërtim. Tanimë për partnerët tanë është bërë e qartë kush janë partnerët e tyre në Kosovë dhe mbrojtësit e marrëdhënie mike të Kosovës.
Arbresh.info: Së fundmi kemi parë edhe publikimin e Strategjisë së Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka pasur shumë qartësi për Kosovën. Si e komentoni këtë strategji?
Hoti: Strategjia e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e publikuar ditë më parë ka përfshi edhe Kosovën si një ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor që ka perspektivë evropiane, megjithë faktit se nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Megjithatë, për Kosovën nuk është paraqitur ndonjë afat kohor për anëtarësimin e saj dhe kjo tregon se kemi edhe shumë punë për të bërë për t’i kaluar sfidat të cilat i ka vënë në dijeni Komisioni Evropian me anë të kësaj strategjie.
Arbresh.info: Në këtë Strategji po ashtu nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur Kosova do të jetë anëtare e BE-së, derisa për Serbinë është dhënë si datë e mundshme viti 2025, pse mendoni që ka ndodhur kjo, kush është fajtor për këtë gjë?
Hoti: Strategjia e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor është përpiluar për të vënë në dukje sfidat dhe hapat të cilat duhet t`i ndërmarrin shtetet të cilat aspirojnë të anëtarësohen në BE. Këtu përfshihen reformat në drejtësi dhe luftimin e korrupsionit, reformat në administratë publike, reformat ekonomike dhe liberalizimi i tregut, reformat në arsim dhe në tregun e energjisë dhe infrastrukturës. Për Kosovën në strategji përmendet edhe finalizimi i dialogut me Serbinë. Të gjitha këto reforma në Kosovë kanë ngecur nga maji i vitit 2017. Është e qartë se kjo qeveri nuk mund të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së kushteve për anëtarësim në BE.
Arbresh.info: A ka dështuar Kosova drejt përmbushjes së obligimeve për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE?
Hoti: Siç e thash edhe më lartë, Kosova tani po ecën me hapa shumë të ngadaltë drejt anëtarësimit në BE. Me këtë ritëm nuk ka asnjë mundësi të përgatitemi për të aplikuar për shtet kandidat. Sfida kryesore do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi dhe me politikat që po zhvillohen tani duket se kjo çështje do të jetë gati e pamundur të përmbyllet me këtë qeveri.
Arbresh.info: A keni menduar ndonjëherë të kandidoni për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti anëtare e Partive Popullore Evropiane, pra është parti me vlera evropiane dhe me qasje institucionaliste. Këto vlera na kanë përcjell në tri dekada të veprimit tonë në skenën politike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedhjet e saj të brendshme do t`i mbaj nga mesi i vitit 2019 dhe jam i sigurt se kandidaturat dhe i gjithë procesi zgjedhor do të zhvillohet në frymë demokratike dhe transparente.
Arbresh.info: Kryetari i LDK-së Isa Mustafa që një kohë është jashtë vendit për shërim, si është gjendja e tij shëndetësore dhe kur mund ta shohim përsëri në publik?
Hoti: Mund t`ju them vetëm se gjendja e Kryetarit Mustafa është stabile, ka shënuar progres të mirë dhe pritet që së shpejti t’i kthehet familjes dhe jetës publike./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e g...
SPAK njoftim zyrtar për Erion Veliajn, i përgjigjet për kall...
Drenusha e nevrikosur me Gjestin, shkak qasja e tij ndaj Xhe...
Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet p...
Ukraina dërgon 500 tonë miell në Siri
La Liga refuzoi të regjistrojë Olmon, largimi i yllit spanjo...