Hoti: Qeveria Kurti pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe shkrimin e ligjeve

11:22 | 27 Shkurt 2024
E.H

Ish-kryeministri i vendit njëherësh edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë Kurti për rritje të borxheve shtetërore teksa i ka listuar dështimet e Qeverisë në këtë sektor.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka theksuar se asnjëri nga tre indikatorët e borxhit shtetëror nuk është përmirësuar me qeverisjen Kurti, përcjell Arbresh.info.

Sipas Hotit, pa pasur krizë buxhetore Qeveria ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve

Postimi i plotë i Hotit:

DËSHTIMET ME BORXHIN SHTETËROR TË KOSOVËS 2021-2023

1. Asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes aktuale. Për korrektësi, krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023:
– Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023;
– Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023;
– Norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023;

2. Disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë jo efektiv. Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim.

3. Si parim, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror.
Për informim të publikut: në Qeverinë Mustafa ishte themeluar Komiteti i Investimeve, që bashkë-kryesohej nga Ministri i Financave, i cili shqyrtonte kërkesat e ministrive dhe komunave për financim të projekteve përmes borxhit. Nëse projekti miratohej, Ministria e Financave merrte përsipër gjetjen e financimit më të përshtatshëm.

4. Gjatë vitit 2023, janë anuluar 5 nga 11 ankandet e letrave me vlerë për huazim në tregun e brendshëm. Ky është sinjal i keq për tregun e brendshëm financiar, sepse krijon pasiguri dhe pamundëson planifikimet adekuate të portfoliove kreditore të bankave komerciale për ekonominë dhe familjet.

5. Vlerësimi kreditor shtetëror i Kosovës do të duhej të ishte kryer gjatë këtij mandati. Ai as nuk ka filluar. Ky vlerësim kryhet nga agjenci ndërkombëtare të vlerësimit dhe ka për qëllim të përcaktojë gjasat që një vend të mos paguajë borxhet. Ky vlerësim i hap Kosovës mundësinë për qasje në fondet e jashtme nga më të ndryshmet, përfshirë investimet e jashtme. Ky lloj vlerësimi është i rëndësishëm edhe për bankat komerciale për qasje në fonde të jashtme më të favorshme për kreditin e ekonomisë dhe familjeve në Kosovë. Në mungesë të këtij vlerësimi, normat e interesit në Kosovë janë mesatarisht më të larta, që nënkupton se koston e mospunës së Qeverisë për të kryer vlerësimin kreditor shtetëror po e paguajnë bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Për informim të publikut: në mandatin tim si Ministër i Financave në Qeverinë Mustafa, kemi diskutuar me akterët relevantë për kryerjen e këtij vlerësimi më 2017 apo 2018. Ajo qeveri u rrëzuar dhe vlerësimi nuk u krye. Gjatë mandatit të qeverisë aktuale, as nuk është menduar në këtë drejtim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme