Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti për takimin e kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, tha se ishte me epilog zero.
Sipas tij, mungesa e rezultateve nga takimi tregon se pushteti ka braktisur dialogun për njohje të nisur në qeverinë e udhëhequr nga LDK, përcjell Arbresh.info.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti theksoi se Qeveria e sotme është e vetmja nga shpallja e pavarësisë pa asnjë progres në këtë drejtim, pa asnjë njohje apo anëtarësim dhe pa asnjë marrëveshje strategjike.
Postimi i plotë:
Dje u mbajt një takim në Bruksel lidhur me dialogun, me epilog zero.
Mungesa e rezultatit të takimit nuk është për shkak të kushtëzimit të Kosovës për njohje reciproke, si mundësia e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Qeveria LVV-Guxo, qysh në fillim, ka hequr dorë nga ky kushtëzim duke e braktisur dialogun për njohje të nisur në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja.
Mungesa e rezultatit të këtij takimi lidhet me kundërshtimin e Kosovës për kohën e themelimit të asociacionit, të cilin Qeveria LVV-Guxo, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit dhe draftin e statutit të asociacionit, e avancoi dhe e nxori jashtë rendit kushtetues të Kosovës.
Këta e dinë mirë se Marrëveshja e Bukselit/Ohrit dhe drafti i statutit të asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo edhe është arsyeja përse nuk e procedojnë atë draft për opinion në Gjykatën Kushtetuese, duke ia bartur problemin qeverisë së ardhshme. Tani kjo
Marrëveshje është bërë pjesë e kushteve në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke krijuar kështu problem edhe më të madh për vendin, duke qenë se me të është vendosur një status-quo e re për Kosovën, duke stopuar njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.
Që nga shpallja e pavarësisë, secila qeveria ka bërë hapa drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kanë qenë njohjet e shumta nga vendet perëndimore të vitit të parë pas shpalljes së pavarësisë që kanë dhënë mesazhin e qartë anembanë botës për përhershmërinë e shtetit të Kosovës, të cilat njohje kanë mundësuar anëtarësimin në: Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime, Federatat e ndryshme sportive e shumë mekanizma të tjerë.
Progresi në dialog në qeveritë e kaluara, edhe pse i natyrës teknike, dhe forcim i aleancave i kanë mundësuar Kosovës me tjerash:
1. Nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (Qeveria Mustafa),
2. Mbështetjen nga aleatët për themelimin e ushtrisë duke dakorduar me aleatët planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në ushtri të rregullt (Qeveria Haradinaj),
3. Nisjen e dialogut për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve (Qeveria Hoti),
4. Nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, e rëndësisë strategjike për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, përfshirë këtu edhe njohjen nga Izraeli (Qeveria Hoti).
Qeveria LVV-Guxo është e vetmja nga shpallja e pavarësisë pa asnjë progres në këtë drejtim, pa asnjë njohje apo anëtarësim, pa asnjë marrëveshje strategjike. Përkundrazi, marrëveshja e Brukselit/Ohrit e ka stopuar rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Kosovës i duhet një qeveri me energji të reja, përvojë e vizion të qartë, për të rikonfirmuar aleancat dhe nxjerrë vendin nga bataku ku e kanë futur LVV-Guxo në këto katër vite./Arbresh.info
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...