Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatave të Kosovës për t’i dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre që ndërlidhen me Ligjin për Paga, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka mbajtur edhe një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se gjatë takimit me kryetarët e këtyre sindikatave u dakorduan që Qeveria menjëherë të formojë grupin punues për ta proceduar në Kuvend këtë ligj.
“Sot, bashkë, ne kishim një takim me kryetarët e sindikatave të SBASHK-ut, të Shëndetësisë, të Policisë, të Administratës Publike, të Zjarrfikësve dhe të Doganave, që përfaqësojnë rreth 70 mijë të punësuar në sektorin publik. Shqetësimin që ata e kanë lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Ligjit të pagave, e ndajmë edhe ne, por më lejoni të them nga pozicioni që kam, ne besoj ndajmë mendimin e të gjithëve që vendimet e gjykatave, të cilitdo nivel, nuk diskutohen fare, por pranohen ashtu siç janë”, theksoi kryeministri Hoti, duke shtuar se tash janë para një situate të re.
Kryeministri Hoti deklaroi se në takimin e sotëm pati pajtim që Qeveria e Kosovës menjëherë të formojë grupin punues për ta proceduar në Kuvend Ligjin e pagave, duke marrë parasysh argumentet që i ka shfrytëzuar Gjykata Kushtetuese, kur ka vendosur për këtë ligj, në këtë formë, por duke u konsultuar edhe me grupet e tjera, që potencialisht mund të kenë pasur vërejtje për këtë ligj.
Sipas kryeministrit Hoti, në grupin punues do të jenë të përfshira të gjitha këto sindikata, sepse ky ligj është për këta të punësuar që përfaqësohen nga kryetarët e sindikatave, ndërsa zotimi i Qeverisë është që do të nisë menjëherë, brenda procedurave sa më të shkurta të mundshme ligjore, për ta proceduar këtë ligj.
“Do ta bëjmë duke kryer të gjitha konsultimet e nevojshme. Problemet janë të mëdha si tek arsimi, ashtu edhe te shëndetësia, policia, te problemi i sigurimeve shëndetësore, aksidentale, pagesat për ushqim, pensionimi i parakohshëm, çështja e definimit të statusit të zjarrfikësve, se a janë me nivelin qendror, apo janë në nivelin lokal, koeficienti shumë i ulët i pagave në administratën publike, nevoja që, ta zëmë doganat, pagat të rregullohen me ligj e jo me vendime administrative të menaxherëve brenda doganave e kështu me radhë”, tha kryeministri Hoti. Sipas tij, të gjitha këto vërejtje do të kenë mundësi t’i adresojnë sa më shpejtë dhe ta çojnë ligjin në Kuvend, kurse gjatë kësaj periudhe Qeveria e Kosovës do të angazhohet brenda mundësive buxhetore të adresojë disa nga nevojat më urgjente nëpër disa nga sektorët e të punësuarve në sektorin publik në përgjithësi.
Kryeministri Hoti falënderoi kryetarët e sindikatave për konstruktivitetin e treguar në të gjitha diskutimet që kishin, duke thënë se janë në një gjendje emergjente edhe shëndetësore, edhe të nevojës për rimëkëmbje ekonomike dhe nga ky këndvështrim është parë se ka një rezon mjaft të mirë dhe të shëndoshë të përfaqësuesve të sindikatave.
“Unë do të vazhdoj të komunikoj bashkë me ta, do të jem afër me ta dhe do ta mbikëqyr nga afër punën e grupit punues që do ta përgatisë Ligjin e pagave për ta dërguar sa më parë në Kuvend”, tha kryeministri Hoti./arbresh.info
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...