Hoti: Qendra e Vaksinimit në Emshir nuk i plotëson kushtet

15:41 | 27 Janar 2022
S D

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se krizën me pandeminë Covid-19 dhe krizën energjetike në Kosovë nuk i ka sjellë Qeveria Kurti.

Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria nuk i ka menaxhuar si duhet këto dy kriza.

“Edhe kjo pandemi dhe kriza pandemike që u diskutua para disa ditësh sigurisht që nuk i ka sjellë kjo Qeveri, por veprimet që i ndërmerr kjo Qeveri përcakton se sa të rralla do të jenë këto kriza për qytetarët. Edhe në shëndetin e qytetarëve, edhe në xhepat e mirëqenien e familjeve që mund të preken nga këto kriza”, ka thënë ai.

Sipas tij, situata me pandeminë vitin e kaluar ishte edhe më e rëndë.

“Reagimi edhe vitin e kaluar në pandemi e edhe tash duket ka qenë i vonuar. Vitin e kaluar situata ishte shumë më e rëndë sepse kishte shumë më tepër raste që bëheshin për spital”, tha Hoti.

Deputeti Hoti deklaroi se kjo qendër nuk i plotëson kushtet që qytetarët të vaksinohen atje.

“Unë kam vërejtje edhe për mënyrën e vaksinimit për aq sa unë mund të vlerësojë sepse krejt ata njerëz që janë vaksinuar me dozën e parë, të dytën e tash edhe me të tretën, duhet të vaksinohen masivisht dhe ngushtimi i kapaciteteve siç është rasti i Prishtinës, zhvendosja e Qendrës së Vaksinimit në Emshir në QKMF ku kushtet nuk janë adekuate dhe mund të imponojnë marrjen e virusit brenda aty është shqetësuese”, ka thënë ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme