Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të diskutuar lidhur me temat e interesit nacional, menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe në veçanti për procesin e deritanishëm të dialogut Kosovë – Serbi, raporton arbresh.info.
Pas takimit, kryeministri Hoti bashkë me presidentin Thaçi patën një konferencë të përbashkët për media.
Fjala e plotë e kryeministri Avdullah Hoti:
Faleminderit President,
Më vjen shumë mirë që sot kishim mundësinë që të diskutojmë në detaje me Presidentin për temat e interesit nacional.
Diskutuam gjerësisht për aktivitetet që po ndërmarrim si Qeveri për të menaxhuar situatën me COVID, për përfshirjen e krejt ekspertëve vendorë që i kemi në këtë proces, por edhe ekspertizën ndërkombëtare përmes OBSH-së, Komisionit Evropian dhe partnerëve zhvillimorë.
E informova për veprimet që po i bëjmë përmes Ministrisë së Shëndetësisë, koordinimin që po e bëjmë me ekspertë të Ambasadës Amerikane dhe me ekspertë vendorë në këtë drejtim, për strategjitë që jemi duke i ndërtuar për t’u përballur me këtë situatë në periudha pak më afatgjata.
Diskutuam gjerësisht për aktivitetet që po i ndërmarrim për të ndihmuar ekonominë dhe sektorin privat, nëpër situatën në të cilën po kalojmë. Më vjen mirë që Kuvendi dje i ka miratuar Marrëveshjet Ndërkombëtare që janë pjesë e programit tonë për rimëkëmbje ekonomike.
Unë pres që në ditët e ardhshme Kuvendi të miratojë edhe rishikimin e Buxhetit dhe Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, që tashmë e kemi dorëzuar në Kuvend.
Unë do të kem diskutime të ngushta me të gjitha partitë politike pa përjashtim për të marrë propozimet e tyre për Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, sepse vërtet është ligj i rëndësisë nacionale dhe unë pres dhe kërkoj me mirëkuptim që të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare, t’i kryejmë edhe këto dy punë, rishikimi i Buxhetit dhe Ligji për rimëkëmbje ekonomike përpara se Kuvendi të shkojë në pushime të verës.
Dhe normalisht, tema tjetër që e diskutuam me presidentin është dialogu me Serbinë. E informova presidentin për veprimet që i kemi ndërmarrë deri më tash, për aktivitetet që kanë ndodhur deri më tani nga Samiti i Parisit, si dhe takimet tjera përmes video-konferencës dhe takimit në Bruksel.
Sot do të raportoj edhe në Kuvend në detaje për zhvillimin e procesit. E falënderoj presidentin për mirëkuptimin që e ka pasur për koordinatorin shtetëror për dialog. Një person që ka përvojë të madhe në proceset e ndryshme të shtetndërtimit të Kosovës. Ai flet në emër timin në këtë proces të dialogut. Ne do të sigurohemi që të gjithë së bashku që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqasë në nivel teknik, por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tonë kryesor që është njohja reciproke për normalizimin e marrëdhënieve. Po mundohemi që të bëjmë maksimumin për koordinimin e të gjitha aktiviteteve me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse është tepër jetike që të jenë të përfshirë të gjithë.
Unë e kam informuar tanimë forumin e liderëve të partive politike, sot do ta informoj edhe Kuvendin dhe shoqërinë civile dhe gjatë gjithë procesit do të jem plotësisht transparent për të siguruar një gjithëpërfshirje, sepse ky është procesi ndoshta më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë për të përmbyllur një marrëveshje finale me Serbinë, që është një interes sigurisht i të dyja vendeve, por edhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. Mendoj që është një momentum shumë i mirë, sepse kemi vëmendjen e vendeve kyçe të BE-së, Gjermanisë e Francës në veçanti, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbes me shpresë që në muajt e ardhshëm të përmbyllim këtë proces me sukses.
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele