Hoti: Pagesat për familjet e personave me sindromën Down dyfishohen në 200 euro

10:28 | 8 Qershor 2017
Arbresh.info

Gjatë një vizite që zhvilloi të enjten në Shoqatën Down Syndrome Kosova  (DSK), kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah  Hoti, ka thënë se qeveria e re parasheh dyfishimin e pagesave të  familjeve që kanë persona me sindromën Down, nga 100 në 200 euro.

“Për të përmirësuar gjendjen e personave me sindromën Down ne do t’i  dyfishojmë pagesat për këto familje, nga 100 euro, siç ka qenë më parë,  do t’i dyfishojmë në 200 euro në muaj”, ka thënë Hoti, shkruan arbresh.info.

Ai ka shtuar se një prioritet i veçantë për këtë kategori të shoqërisë  do të jetë ofrimi i kushteve adekuate për përfshirjen e tyre në sistemin  arsimor, nëpërmes përgatitjes së kuadrove të specializuar për të punuar  me këta fëmijë.

“Ne do të përkrahim projektet sikur kafeneja në Prishtinë ku punojnë  këta persona. Kafene të tilla do të hapin në të gjitha qendrat rajonale  të Kosovës. Ideja jonë është që të përkrahim punësimin e këtyre  personave, sepse kemi obligim si shoqëri që t’i kultivojmë sa më shumë  që është e mundshme vlerat tona humane”, ka shtuar Hoti.

Ai ka shprehur konsideratën më të lartë për punën e organizatës DSK dhe  është zotuar se do të përkrahë financiarisht projektet e tyre.

Sebahate Beqiri, drejtoreshë e DSK ka thënë se aktualisht janë duke e  zbatuar Programin e Intervenimi dhe Edukimit të  Hershem (IEH) në 5  komunat, një program ky i akredituar nga MASHT.

“Ky program parasheh shërbime për prindër të rinj- këshillim dhe  informim mbi shërbimet ekzistuese. Terapi/aktivitete: zhvillim  psiko-motorik, zhvillim të komunikimit dhe të folurit. Regjistrimin e  fëmijëve në institucione parashkollore dhe shkollimin e rregullt.

Vizitat në familje/institucione shëndetësore dhe zbatimin e sistemit  referues”, ka thënë Beqiri.

Ajo ka shtuar se një projekt tjetër i organizatës është Iniciativa  Avokuese dhe Monitorimi mbi nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve dhe  strategjive për personat me nevoja të veçanta, si dhe janë duke e bërë  implementimin e Programit të aftësimit për punë dhe jetës së pavarur për  të rinj dhe të rritur me sindromin Down, siç janë ndërmarrja sociale-

Programi X21; prodhimi i kartolinave pune dore; Shërbimi i printimit dhe projekti amë –Linja e Paketimit të Mjaltit./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme