Hoti në Skënderaj: Liria nuk është e plotë pa arsim

15:46 | 15 Nëntor 2019
A. B.

1994 nxënës fitues ka pasur gjithsej Komuna e Skënderajt në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 18 në nivelin republikan, 105 në nivelin komunal dhe 1871 fitues në nivelin shkollor të garës.

Për këtë sukses të nxënësve, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Rexhep Hoti, tha se meritor është drejtoria komunale e arsimit së bashku me drejtorët e shkollave të kësaj komune.

Koordinatori Hoti e theksoi këtë në një takim që mbajti me drejtorët e shkollave në Skënderaj, ku ndër të tjera tha se është krenar kur sheh aktivizim dhe vullnet të tillë kur është në pyetje arsimi dhe e ardhmja e fëmijëve.

“Programi Nacional për Rininë nuk do të gjente zbatim pa kontributin e drejtorëve të secilës shkollë, e në këtë rast pa kontributin tuaj. Angazhimi i juaj ka bërë që ky program të zbatohet për gjithë nxënësit pa përjashtim. Ju e keni dëshmuar që liria nuk është e plotë pa arsimimin e gjeneratave të reja. E di që kemi pasur sfida në realizimin e tij, por e mira është se ato i kemi tejkaluar së bashku me ju duke menduar për suksesin e nxënësve. Unë jam i bindur se me përkushtimin tuaj, në garat që janë duke u zhvilluar tani, nxënësit e Skënderajt do të dalin edhe më të suksesshëm”, tha Hoti.

Drejtori i arsimit në komunën e Skënderajt, Bekim Latifi, e falënderoi Koordinatorin Hoti për takimin me drejtorët dhe përkushtimin e tij për të parë nga afër ecurinë e garave në këtë komunë.

“Të gjitha shkollat e komunës sonë kanë marrë pjesë në garat e kreativitetit dhe të diturisë. Ne jemi të kënaqur me suksesin që kanë treguar nxënësit tanë edhe në nivelin republikan të garës. Ne jemi duke vazhduar me garat që kanë filluar këtë vit shkollor, dhe normal që presim suksese. Ashtu siç e përmendët edhe ju Koordinator, suksesi i nxënësve është edhe sukses i drejtorëve e i stafit që ka punuar me nxënësit”, tha Drejtori Latifi.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Drejtori komunal i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ramiz Shala, me të cilin u diskutua për garat e sportit që po mbahen në nivelin shkollor.

Koordinatori Hoti, ndau mirënjohje në për drejtorët dhe stafin e DKA-ve në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në organizimin e garave. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme