Hoti: Ismaili nuk ka pasur ftesë nga BE-ja për dinarin, qeveria e ka përcjellë atë tek guvernatori

17:59 | 13 Mars 2024
E.G

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas raportimit të guvernatorit të BQK-së në Komisionin për Buxhet lidhur me pjesmarrjen e tij në dialog në Bruksel.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka nxjerrur përfundime lidhur me këtë raportim, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, guvernatori nuk ka pasur ftesë të drejtëpërdrejtë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog, por ftesëne  ka pranuar nga Qeveria e cila më pas i është përcjellë atij.

“Edhe pse Guvernatori ka deklaruar se ka pasur mendim ndryshe për nevojën e pranisë së tij në Bruksel, në fund ka vendosur të shkojë,” ka shkruar Hoti.

Raporti i takimit në Bruksel thekson se ka pasur një përmbledhje të bisedimeve mes Guvernatorit të BQK dhe zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë, por jo me homologun e tij serb.

“Detajet e diskutimeve janë ende të paqarta, pasi nuk ka informacione zyrtare të dokumentuara në lidhje me përmbajtjen e diskutimeve”.

“Guvernatori insiston se ‘nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet’, duke lënë hapësirë për pyetje në lidhje me transparencën e këtij takimi”, thekson Hoti.

Sipas tij, në aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese qartëson se vetëm Qeveria e Kosovës ka autoritetin të përfaqësojë vendin në dialog me Serbinë, duke vënë në dyshim të drejtën ligjore të pjesëmarrjes së Guvernatorit në takim.

“Pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë takim del të jetë e paautorizuar nga kompetencat që i jepen nga neni 37 i Ligjit për BQK,” shton ai, duke e akuzuar Qeverinë për përdorimin e Guvernatorit si një mjet në dialogun me Serbinë.

Deputeti i LDK-së theksoi se ka mungesë të koordinimit të rregulloreve pa transparencë të plotë, duke sugjeruar se duhet të ketë më shumë transparencë dhe qartësi rreth rolit të Guvernatorit dhe angazhimeve të tij në çështje që prekin politikat e jashtme të Kosovës./Arbresh.info/

Të ngjashme