Hoti: Ideja e presidentit për lëvizje të kufijve ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës

12:54 | 24 Tetor 2018
M. A.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar drejtpërdrejtë presidentin Hashim Thaçi, se me përpjekjen e tij për të finalizuar idenë për korrigjim të kufijve, ka ndikuar që komunitetet pakicë të mos ndihen të sigurt në Kosovë dhe të refuzojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

“Insistimi antikushtetues i Presidentit aktual për korrigjimin e kufirit i ka dëmtuar përpjekjet tona për dy dekada për të ndërtuar një shtet ku qytetarët e të gjitha komuniteteve ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre”, ka shkruar Hoti, raporton Express.

Ai thotë se kjo vërehet me largimin që pjesëtarët e komunitetit po e bëjnë nga FSK-ja.

“Në radhët e komunitetit serb, ky angazhim i Presidentit ka shtuar refuzimin ndaj institucioneve të Republikë së Kosovës. Kjo po vërehet me largimin e shumë pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja”, ka shtuar Hoti.

Deputeti i LDK-së thotë se komuniteti serb duhet bindur se nuk ka ndryshim të kufijve dhe ndarje të Kosovës.

“Do të na duhet shumë kohë dhe energji për ta kthyer besimin tek komuniteti serb se nuk ka ndryshim të kufirit, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë krahas komuniteteve të tjera”, ka përfunduar Avdullah Hoti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme