Google ADS

Hoti i kënaqur me mbarëvajtjen e garës në Kreativitet

19:03 | 2 Prill 2019
Arbresh.info

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, sot është takuar me Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.

Hoti e Ilazi diskutuan për procesin e mbarëvajtjes së garës në nivelin e shkollës në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në kuadër të Programit Nacional për Rininë si dhe për zhvillimin e garës në nivel komunal.

“Jam shumë i kënaqur me procesin e garës në gjithë Kosovën. Shkollat kanë treguar gatishmëri për ta zbatuar Programin Nacional për Rininë dhe mund të them se një pjesë e konsiderueshme e shkollave tashmë na i kanë dërguar listat e fituesve. Sot kam ardhur të njoftohem nga afër me përgatitjet e garës së nivelit komunal dhe të kërkoj nga ju kryetar që mbështetje të veçantë t’i ofroni Drejtorisë Komunale të Arsimit”, tha koordinatori Hoti.

Ndërkaq, kryetari Besim Ilazi theksoi se do të ofroj mbështetjen e tij për të zbatuar programin në të gjitha nivelet.

“E mira e kësaj gare është orientimi kah talenti. Unë po pres që sidomos në garën e diturisë komuna jonë të nxjerrë në pah nxënës të dalluar”, tha Ilazi duke shtuar se gara e diturisë do të ndikojë edhe në përmirësim të rezultateve nga testet e arritshmërisë.

Në takim mori pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri i cili e njoftoi Ilazin rreth përgatitjeve për garën e diturisë.

Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik në nivelin komunal për vitin 2019 mbahet gjatë datave 30 mars deri me 13 prill.​

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme