Hoti i ashpër me Osmanin: Të ftosh votuesit e LDK-së që të votojnë VV-në është tradhti e madhe

18:30 | 15 Janar 2021
Arbresh.info

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha të premten se përpjekja e Vjosa e Osmanit për ta orientuar votën e elektoratit të LDK-së dikun tjetër, do të dështoj më 14 shkurt, pasi dihet fati i atyre që mundohen të dëmtojnë shtëpinë e vet, transmeton Arbresh.info.

“Dje një figurë e lartë e LDK-së, ajo të cilës i dhamë besim dhe mbështetje të pakursyer për një veprim duke ia vulosur vetes të ardhmen politike. Fati i atyre që punojnë kundër shtëpisë së vet dihet. Ajo hyri në listën e kundërshtarëve të shtetit të Kosovës dhe po tenton që votuesit e LDK-së t’i orientoj diku tjetër me qëllim e vetëm që të bëhet presidente. Por nuk do të ketë sukses. Të ftosh votuesit e LDK-së që të votojnë për Vetëvendosjen është tradhti e madhe. Ajo dje e përmbylli të ardhmen e saj politike dhe LDK do të ec përpara”, tha Hoti gjatë takimit me strukturat partiake në Han të Elezit.

Edhe gjatë këtij takimi, Hoti potencoi faktin se fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e ashpër, pasi në to përballen dy koncepte, ata që duan shkatërrimin e Kosovës dhe ata që duan ta parandalojnë këtë.

” Kjo është një garë mes dy koncepteve. Në njërën anë është koncepti i LDK-së që ka nisur në vitin 1989, për shtet të pavarur, demokratik, të zhvilluar, për shoqëri të civilizuar dhe të lirë. Në anën tjetër është një koncept që dërgon kah monizmi, pra kjo është gara në këto zgjedhje”, tha kandidati i LDK-së.

Hoti tha se LDK e ka për obligim që të parandaloj përpjekjet për të rrënuar shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye duhet mobilizim i madh nga të gjithë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme