Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dy projektligje, që do të diskutohen këtë të enjte në Kuvend, do t’i japin goditje të rëndë ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë në Kosovë.
Në një shkrim në Facebook, deputeti i LDK-së ka shkruar lidhur me këto dy projektligje të propozuara nga Qeveria e Kosovës.
“Projektligji i parë cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore (drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj.). Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa tjera që mund t’i teken Qeverisë. Një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje
:
Dy projektligje, që do të diskutohen të enjten në Kuvend, do t’i japin goditje të rëndë ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë në Kosovë.
1.
Projektligji i parë cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore (drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj.). Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa tjera që mund t’i teken Qeverisë.
Një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
Në situata të luhatjes së madhe të çmimeve, siç është situata tani me inflacion të lartë, duhet përdorur mekanizma të tjerë. Mekanizmi i parë e prek anën e ofertës: (1) ulja e ngarkesave tatimore dhe akcizave, të cilat ulin drejtpërdrejt kostot e furnizimit, si dhe (2) subvencionimi i energjinë në veçanti. Mekanizmi i dytë e prek anën e kërkesës, duke mbrojtur të ardhurat e familjeve përmes: (1) indeksimit për normën e inflacionit të pagave në sektorin publik, pensioneve dhe ndihmave sociale, si dhe (2) rritjes së pagës minimale në ekonomi.
Çdo formë tjetër e ndërhyrjes në treg e shkatërron konkurrencën. Nëse ka vlerësime se po bëhen abuzime me çmime, atëherë duhet aktivizuar Autoritetin e Konkurrencës dhe Inspektoratin e Tregut.
Nëse ky projektligj miratohet kështu siç është përgatitur nga Qeveria, do të falimentojnë tregtarët e vegjël dhe të mesëm. Në treg do të mbeten vetëm disa tregtarë të mëdhenj, të cilët mund të përballojnë marzhat shumë të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës që tanimë e kanë arritur. Sapo të falimentojnë tregtarët e mesëm e të vegjël, të mëdhenjve do tu rriten shitjet dhe fitimet. Ky do të jetë efekti në përfundimtar i këtij projektligjit, krahas çrregullimeve masive në ofertë në afat të shkurtër.
2.
Projektligji i dytë merret me kontratat për investimet publike. Sado që çështja është e arsyeshme, pasi investimet publike kanë ngecur, projektligji krijon kaos në kontratat publike. Në projektligj nuk ka qartësi si definohet inflacioni në çmimet e materialeve në kontrata. Nuk dihet sa duhet të jetë inflacioni në mënyrë që të kompensohet operatori. Lista e materialeve, për të cilat operatorët do të kompensohen, është arbitrare. Lejohet mundësia që të kompensohen operatorët edhe për makinerinë që e kanë blerë, e cila nuk do të shërbejë vetëm për kontratën ekzistuese, por edhe për punë të tjera në të ardhmen që kryen operatori ekonomik. Lejohet mundësia e shkëputjes së kontratave nëse operatori nuk pajtohet me vendimin e autoritetit kontraktues, e shumë anomali të tjera.
Anomali në vete është Opinioni i Ministrisë së Financave për ndikimin buxhetor të këtij projektligji. Sipas projektligjit, kostoja e kontratave mund të rritet deri në 20%. Por Ministria thotë se ky projektligj nuk krijon kosto shtesë për Buxhetin e Republikës së Kosovës.
Qasja e duhur për të adresuar problemin e investimeve të ulëta kapitale është duke amendamentuar ligjin për prokurim publik: duke indeksuar vetëm çmimet e materialeve ndërtimore sipas çmimit mesatar në bursë, dhe vetëm këtë herë. Çdo qasje tjetër shkakton kaos dhe krijon hapësirë për abuzime. /arbresh.info/
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...
Njoftimi i UEFA-s për ndeshjen Rumani-Kosovë
Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë
Përfshihet nga flakët një ndërtesë banimi në Kinë, të paktën...
Arrestohen dy persona në Lipjan pas një mosmarrëveshje për p...
Shtetasit turk i vjedhet një çantë në Prishtinë, i’a m...