Hoti bisedoi me krerët e FMN-së në cilësinë e kandidatit për kryeministër, flasin nga qeveria në detyrë

20:29 | 26 Maj 2020
L G

I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një video-konferencë me shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella dhe Stephanie Eble, përfaqësuese e përhershme të FMN-së për Ballkanin Perëndimor.

Ani pse, Hoti aktualisht nuk ka ndonjë funksion shtetëror, këtë bisedë e ka zhvilluar në cilësinë e kandidatit për kryeministër nga LDK në qeverinë gjithëpërfshirëse në koalicion me AAK dhe Nisma Social Demokrate.

Zyrtarë të zyrës së kryeministrit nuk kanë dashur të komentojnë rreth kësaj çështje.

Zëdhënësi për media në Qeverinë Kurti, Përparim Kryeziu për arbresh.info, tha se nuk i komenton veprimet e zyrtarëve të partive  tjera.

Ai, po ashtu tha se qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin, vazhdimisht është në kontakt me  Ministrinë e Financave dhe institucionet financiare.

“Ne nuk mundemi me i komentu veprimet e zyrtarëve të partive tjera. Ne si Qeveri në detyrë, edhe Kryeministri Kurti edhe Ministri i Financave është vazhdimisht në kontakt me Institucionet Financiare ashtu që të këtë bashkëpunim sa më të mirë në hartimin dhe zbatimin e pakos”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës shkruan se Hoti dhe përfaqësuesit e FMN diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për efektet e pandemisë COVID-19 në ekonomi.

“Hoti dhe Di Bella ranë dakord se politikat për të rimëkëmbur ekonominë duhet të kenë një mbështetje të gjerë, të jenë të synuara mirë dhe të jenë konsistente në ruajtjen e stabilitetit makro-financiar. Ata më tej ranë dakord për nevojën për të kufizuar rreziqet fiskale. Hoti dhe përfaqësuesit e FMN u pajtuan se shkëmbimin e ideve të tilla konstruktive dhe të hapura janë më se të duhura në këtë kohë, si dhe u zotuan për vazhdimin e këtij dialogu”, thuhej në njoftimin e LDK-së./arbresh.info

Hoti bisedon me shefin e FMN-së, ia tregon idetë e tij si për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme