Ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, James Hooper, thotë se për qeverinë amerikane, çështja më e rëndësishme është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet të tyre. Por, kryeministri Kurti, thotë ai, ju kundërvu kësaj çështjeje dhe qeveria amerikane e ka parë atë si pengesë.
“Dhe ajo që ndodhi është se ai lejoi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të rrezikohen nën udhëheqjen e tij. Tani ai është i brishtë përballë akuzave dhe mendoj se janë akuza të drejta, se ai keqmenaxhoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se në Kosovë ka shumë gjera që udhëheqësit mund apo nuk mund t’i bëjnë dhe mund të kritikohen apo jo, por me sa marr vesh unë, marrëdhëniet me Amerikën janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sikundër që mendoj se situata në Kosovë është e rëndësishme për qeverinë amerikane”, tha Hooper për Zërin e Amerikës.
Por, sa janë dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?
“Nuk mendoj se janë dëmtuar seriozisht ende, në Kongres. Mendoj se në Kongres ka një mirëkuptim për situatën në Kosovë dhe më shumë tolerancë për situatën. Mendoj se me administratën janë goxha të dëmtuara dhe nuk është dashur të jetë kështu. Ky është problemi që unë e shoh”, tha zoti Hooper.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha pas rrëzimit të qeverisë së tij se qëllimi ishte heqja e pengesës për planin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh. Ai u shpreh i bindur se ka një plan të tillë të fshehtë gjë që u mohua ndërkaq nga diplomatët amerikanë Richard Grenell, Mathew Palmer dhe Philip Kosnet.
“Nuk ka një plan për ndarje, dhe nuk është diçka për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë biseduar. Ata kanë biseduar për marrëdhënie të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ato marrëdhënie do të kishin një numër komponentësh, një prej të cilëve përfshinë demarkacionin e kufijve. Ajo përfshinë po ashtu anëtarësimin e Kosovës ne Kombet e Bashkuara dhe përfundimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë zoti Hooper.
Por a mund të pritet një marrëveshje e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve presidenciale amerikane?
“Mund të prisni një marrëveshje para zgjedhjeve amerikane, nëse zoti (Ramush) Haradinaj dhe zoti Kurti nuk e bllokojnë këtë. Mendoj se një marrëveshje është para duarsh. Mendoj se vijat janë hedhur dhe udhëheqësit serbë dhe ata të Kosovës e kuptojnë këtë. Vuçiçi është gati, ai do të sigurojë që kjo të ndodhë. Udhëheqësit e Kosovës nuk janë gati ende, nuk janë të vullnetshëm ta bëjnë këtë dhe kjo i frustron amerikanët”, mendon James Hooper.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...