Hong-Kong, miraton reformën për të mbajtur larg pushtetit personat që janë kritikë ndaj Kinës

17:12 | 27 Maj 2021
Arditë Shkodra

Hong-Kongu miratoi reformën e re elektorale për të mbajtur larg pushtetit personat, të cilët ndajnë qëndrime kritike ndaj Kinës.

I ashtuquajturi “ligji i patriotëve” parashikon që çdo kandidat i cili garon për një post në parlamentin e rajonit gjysmë autonom kinez, t’i nënshtrohet vetingut ose vlerësimit të një paneli, me kriterin që të njohë sovranitetin e Pekinit mbi rajonin, të mos bashkëpunojë me aktorë ose vende të huaja kundër vendit dhe të mos kryejë akte që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Opozita e Hong-Kongut thotë se qëllimi i ligjit është të përjashtojë kritikët nga vendimmarrja për të krijuar një parlament kryesisht pro kinez.

“Partia Demokratike është e zhgënjyer sepse sistemi i ri zgjedhor ul përfaqësimin në institucione. Nuk është kjo mënyra më e mirë për t’i rikthyer paqen Hong-Kongut. Po e diskutojmë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje.”

Guvernatorja aktuale e qytetit, Keri Lem, thotë se vetingu nuk do i diskriminojë kandidatët në bazë të pikëpamje politike, por prej atdhedashurisë.

Me ligjin e ri ndryshon edhe formati i parlamentit, i cili do të ketë nga 70, 90 parlamentarë, por vetëm 20 prej tyre do të zgjidhen direkt nga qytetarët, ndërsa 40 do të caktohen nga Komiteti Zgjedhor dhe 30 nga grupet e interesit, që historikisht janë rreshtuar pro Pekinit.

Hong-Kongu ka qenë koloni britanike deri në vitin 1997, kur iu dorëzua Kinës për t’u qeverisur me autonomi sipas modelit “një shtet, dy sisteme”, deri në vitin 2047.

Të ngjashme