Google ADS

Historia e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

08:02 | 17 Shkurt 2024
K.B

Ditë dimri e acar i madh po mbizotëronte sot 16 vjet më parë, kur u lexua kjo deklaratë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Sakrifica dhe mundi i çdo shqiptari u shpagua me 17 shkurt 2008, kur 109 deputetë të Kuvendit miratuan deklaratën për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, shtetit më të ri në botë.

Kjo datë, hyri në kalendarin e historive që lënë gjurmë të pashlyera në ekzistencën e popullit shqiptar.

16 vjet më parë, festat për rilindjen e një shprese të shuar nuk kishin të ndalur e lotët nga gëzimi shkonin si asnjëherë më parë.

Festë për Pavarësinë e Kosovës kishte edhe mijëra kilometra jashtë kufijve të saj. (VIDEO).

Me plotë entuziazëm atë ditë të diele shkurti na e kujton edhe historian Izet Miftari për Arbresh.info.

“Ka qenë një ditë e veçantë dhe ka qenë dimër, kanë qenë temperaturat e ulëta, por temperatura e ulëta e kanë bërë të ngrohtë pavarësisht se ka qenë ftohtë.

Atmosfera e krijuar ka qenë një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj. Dhe ne e prisnim. Ka qenë ditë e diel kur është lexua deklarata. D.m.th. prisnim me padurim me fillu në ora 3:00 me u mbledh Kuvendi”, ka thënë Miftari.

Kosova më në fund u pavarësua, kërkesën e mohuar për vite, dekada e shekuj.

“Pas deklaratës me 17 shkurt që e lexoi në atë kohë kryeministri që ishte në detyrë Hashin Thaçi dhe më kujtohej derisa e përcjellja kohën në ekran në ora 15:39 thotë “Ne udhëheqësit e Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike përmes kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik” dhe 109 deputet që ishin prezent e miratuan dhe me një duartrokitje dhe me një emocion të papërshkruar ndërroi historia dhe pas një shekulli rezistence Kosova përfundimisht u pavarësua”, theksoi Miftari.

Mirëpo rruga deri tek Pavarësia nuk ishte e lehtë. Atë na e lehtësoi ish-presidenti i Finlandës, Martin Ahtisari i cili si udhëheqës i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, kishte përgatitur një paket që parasheh shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mbikëqyrjen e saj.

Në mënyrë kategorike, një gjë e tillë as sot e kësaj ditë nuk pranohet nga Serbia ani se kjo pako u jep të drejta eksplicite serbëve të Kosovës.

E ndër disa rregullat që mund të themi nuk u pëlqyen shqiptarëve ishte që Kosova mos të i bashkohet Shqipërisë, simbolet e shtetit të mos reflektojnë me shtetet fqinje dhe himni të jetë pa tekst.

“10 ditë ose 1 javë u kuptua që Kosova do ta shpall me 17 shkurt ditë e diel dhe paketa e Ahtisarit ka paraparë një Pavarësi ku komuniteti serb u ka dhënë të drejta të veçanta eksplicite dhe aty është precize që Kosova nuk ka të drejtë ti bashkohet asnjë shteti fqinjë as Shqipërisë as Serbisë, sepse realisht ne kemi pasur historikisht dëshirë t’i bashkangjitemi Shqipërisë por për shkak të rrethanave u krijua një mundësi që nëse s’mundemi me u bo bashkë me Shqipërinë atëherë ta krijojmë shtetin tonë dhe kjo ndodhi”, ka deklaruar Miftari.

“Dhe pas deklaratës u votuan edhe simbolet kombëtare në këtë rast edhe flamuri me ngjyrë të kaltër me 6 yje që simbolizojnë etnitetet që jetojnë në Kosovë edhe pse ne e dimë që 90 për qind e popullit që jetojnë në Kosovë janë shqiptar, por për shkak të rrethanave të tilla atëherë edhe simbolet kombëtare duhet të paraqitnin një lloj multnietneciteti. Edhe himni është miratuar në një mënyrë të tillë pa tekst është marrur si shembull Spanja, San Marino, Bosnja Hercegovine janë marr si modele që himni kombëtar me qenë pa tekst”, tha ai.

Përkundër rregullave, Kosova është bërë shtet 16 vite më parë dhe deri me tani Pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete.

Në një letër pergami e ardhur nga Anglia enkas për shkrimin e deklaratës së Pavarësisë ka garanci rreth 700 vjet.

Miftari na tregon më shumë detaje rreth nënshkrimit të deklaratës.

“Letra pergami ka ardhë nga Anglia sepse është special me një garancion 700 vjeçar dhe ai që e ka shkru deklaratën ka qenë i ndjeri artisti piktori i njohur, Shyqeri Nimani dhe meqenëse kanë qenë edhe 11 deputet serb në atë kohë, por ata nuk kanë marr pjesë në atë seancë dhe nuk kanë dashtë me e nënshkru komunitetet e tjera turq, rom, ashkali kanë nënshkruar të gjithë 109 deputet nëse nuk gaboj janë të gjithë që e kanë miratuar dhe e kanë nënshkruar deklaratën e Pavarësisë me përjashtim të komunitetit serb që nuk kanë pranuar as të jenë prezent as të votoj as ta nënshkruar deklaratën që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe demokratike”, tha Miftari.

Në historitë që ka lënë gjurmë të thella tek shqiptarët është edhe deklarata për Pavarësinë e Kosovës me 2 korrik 1990.

Tentimi për tu pavarësuar edhe Kosova pas shkatërrimit të ish-Jogusllavisë nuk gjeti përkrahje nga ndërkombëtarët përveç Shqipërisë.

Në këtë ditë të veçantë, si historian Miftari ka një mesazh për shqiptarët.

“Si historian të gjithë qytetarëve u uroj ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe u bëjë thirrje sidomos brezit të ri që të qëndrojnë në Kosovë sepse Kosova është amanet i të parëve tanë, është sakrificë e madhe dhe për ne është një fat i madh që i kemi dy shtete kombëtare edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Prandaj gëzuar 17 shkurti dhe nëse shekulli 20 ka qenë arritja më e madhe e formimit të shtetit të Shqipërisë, shekulli 21 për shqiptarët është arritja më e madhe e formimit të shtetit të Kosovës, shteti të dytë kombëtar të Shqiptarëve”, u shpreh Miftari.

Sot feston 16 vjetorin e Pavarësisë një shtet që nuk e besonte askush se një ditë do të egzistonte me të vërtetë, duke iu rikthyer buzëqeshja shqiptarëve dhe ëndrrat e humbura shumë vjeçare.

Më këtë ditë, kujtohet e kaluara, lufta për rezistencë ndërsa sot sheh nga afër arritjet që Kosova i ka 16 vite pas Pavarësisë e 25 vite pas çlirimit./Arbresh.info/ Ejona Hyseni/

Të ngjashme