Historia e përçarjeve të partive të mëdha – LDK, PDK e VV

00:02 | 12 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Vdekja e liderit të saj shpirtëror Ibrahim Rugova, në vitin 2006 e kishte hapur derën për përplasje të forta dhe ndarje në partinë e parë kosovare, LDK. Shumë shpejt u formuar dy krahë që synonin të udhëheqnin me partinë. Përplasjet në mbledhjet e Kryesisë kulmuan me atë që njihet si Kuvendi i Karrigeve, raporton KTV.

Në fund të 2006-s, Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar pas dhunës fizike në Kuvend. Nexhat Daci që e synonte partinë, por mbeti jashtë vendosi të themelojë parti të re politike. E mbajti Lidhjen Demokratike, por e quajti të Dardanisë, ashtu siç i referohej Kosovës Rugova. Në zgjedhjet e para pas formimit, në vitin 2007 LDD-ja arriti të hyjë në Kuvend me 9 deputetë, duke qenë akter i rëndësishëm në opozitë në qeverinë PDK-LDK. Por, kaq fuqi kishte kjo parti – vetëm një mandat. Pas moskalimit të pragut në zgjedhjet e radhës, kjo parti nisi shuarjen e ngadalshme.

Figura qendrore të LDD-së si Adem Salihaj, Besa Gaxherri e Naser Rugova u zvarritën ngadalë për t’u kthyer në LDK, ani pse paraprakisht kishin akuza të forta si për Fatmir Sejdiun ashtu edhe për pasardhësin e tij në krye të LDK-së, Isa Mustafën. Derisa Gaxherri e Rugova u kthyen në Kuvend me ish-partinë mëmë, Daci kohë pas kohe bën analiza politike.

PDK-ja e Hashim Thaçit mund të ndahej në kohën e kthimit të Fatmir Limajt nga Haga. Nënkryetari i partisë u bë figura kryesore e kundërshtimit ndaj Hashim Thaçit. Por, përkundër përplasjeve të tij e Jakup Krasniqit me partinë, do të duheshin përgjimet Pronto për të marrë vesh ndarjet e mëdha. Në to, Hashim Thaçi i referohej Jakup Krasniqit si Jakupovski e votuesit e Limajt në Malishevë i quajti ‘zagarë’. Ky do të ishte kulmi i durimit për dyshen Limaj – Krasniqi, që vendosën të dalin nga PDK-ja për formuar një parti të re. E quajtën NISMA dhe fillimisht u sprovuan në Malishevë në vitin 2013, ku e hoqën pa ndonjë problem nga pushteti PDK-në.

Në zgjedhjet e vitit 2014, arritën të kalojnë për pak pragun dhe hynë në Parlamentin e Kosovës për herë të parë. U rreshtuan përkrah AAK-së, LDK-së e Vetëvendosjes me vetëm një qëllim – largimin me çdo kusht nga pushteti të PDK-së. Duruan 6 muaj e kur LDK-ja hyri në qeveri, opozitën ndaj PDK-së e Hashim Thaçit e bënë me gaz, protesta e metoda tjera. Me pak dallim nga LDD-ja edhe NISMA tre vjet pas u zvarritë për t’u kthyer në PDK. Nuk u shkri, por garoi me një listë të përbashkët me të e me AAK-në.

Listës i printe Kadri Veseli, ish-drejtuesi i SHIK-ut të cilin Fatmir Limaj e akuzoi në shumë rase se qëndronte prapa montimit të gjyqeve ndaj tij. Me marrjen e pak pushteti, radha e përplasjeve të mëdha erdhi në Vetëvendosje. Për një kohë këtu ekzistonin dy rryma, me përpjekjet e vazhdueshme të Dardan Molliqajt për rol qendror në këtë parti. Por, gjithçka doli sheshit vetëm kur u publikua një bisedë në Viber, ku deputetja Aida Dërguti e ofendonte themeluesin dhe liderin shpirtëror të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.

Pas presionit publik nga vetë militantët e kësaj partie, Dërguti dha dorëheqje nga kryesia dhe dega në Vushtrri. Klani i Molliqajt nuk e donte kandidimin e Kurtit për kryeministër, dhe nuk e do as kthimin e tij në krye të partisë që aktualisht udhëhiqet nga ana Visar Ymerit. Disa deputetë të Vetëvendosjes u rreshtuan përkrah Kurtit, e të tjerë përkrah Dërgutit duke dënuar gjuhën e përdorur ndaj saj. Është ende e paqartë se çfarë rezultati do të sjellë kjo përplasje dhe nëse edhe këtu do të ketë formim të një partie të re./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme