Viciana, Viçitrina, Vuçitërna, janë disa nga emërimet që qyteti më antik në Kosovë, tashmë me emrin Vushtrria, posedonte nga koha e Perandorisë Osmane e këtej.
Qyteti më i vjetër në Kosovë, Vushtrria shtrihet në pjesën veriore të vendit dhe kufizohet me pesë komuna, Mitrovicën, Skenderajn, Drenasin, Podujevën dhe Obiliqin.
Komuna e Vushtrrisë ka rreth 100 mijë banorë, prej tyre 70 mijë janë banorë rezident, ndërsa ka një sipërfaqe prej 345 kilometra katrorë.
Historinë e lashtë e interesante aq sa vetë emri i Vushtrrisë për këtë qytet antik e tregon për Arbresh.info, historiani, Izet Miftari.
“Qyteti i Vushtrrisë dallohet me tri objekte, me Kalanë e vjetër që është në bërthamë në qendër të qytetit rreth së cilës gradualisht u krijua dhe u ndërtua qyteti, është Ura e Vjetër e Gurit ose e njohur ndryshe si ura pa lumë për shkak se lumi Sitnica ka devijuar rreth 500 metra në perëndim, dhe sot Ura e Gurit ka mbetur vetëm si monument historik, dhe është hamami apo banjo publike”, ka thënë Miftari.
Si një nga qytetet që ka përcjellë trashëgimin nga brezi në brez për shekuj me radhë, Miftari tregon specifikat që e bëjnë të veçantë qytetin e Vushtrrisë.
“Qyteti i Vushtrrisë specifikohet për mikpritje dhe për traditën e çajit. Po ashtu specifikohet edhe për vendin ku ka lindur patrioti, rilindësi, njeriu i penës e i pushkës, Hasan Prishtina. Po ashtu specifikohet edhe për ushqimet tradicionale si: Qebapat apo për suxhukun. Është vend që është i zhvilluar shumë edhe bujqësia në periferi sidomos patatet e fshatrave të Vushtrrisë janë të njohur, por njihet edhe për përpunimin e drurit”, shtoi ai.
Dikur Vushtrria kishte emra të ndryshëm dhe ishte qyteti më i zhvilluar dhe më i madhi në Kosovë.
“Vushtrria gjendet në vendin që dikur ka qenë Viciana apo Vizianumi i periudhës romake. Vushtrria gjatë periudhës historike ka pasur emërtime të ndryshme, p.sh në gjuhën serbe njihet si Vuçitërn, ne e quajmë Vushtrri në gjuhën turke njihet si Viçitërin në dokumentet osmane njihet si Viçitrin. Është një lexim i gabueshëm i dokumenteve osmani sepse gjatë shekullit XV është quajtur Viçitrin dhe është vazhdimësi e fjalës Vicianum dhe në shek. XV deri në shek. XVIII
Vushtrria ka qenë qyteti më i madh në nivel të Kosovës edhe në rrafshin e Dukagjinit. Sepse zakonisht deri vonë Kosova është njohur vetëm në rrafshin e Dukagjinit. Pas krijimit të vilajetit të Kosovës 1878 edhe rrafshi i Dukagjinit edhe rrafshi i Kosovës e marrin një emër Vilajeti i Kosovës. Ka qenë një ndër qytetet më të zhvilluara, ka qenë selia e Sanxhakut. D.m.th. Sanxhak ka qenë njësia më e madhe administrative e periudhës osmane, që jo secili qytet ka pasur mundësi ta ketë qendrën e Sanxhakut në atë qytet”, tregoi Miftari.
Luftërat e mëdha, murtaja, e pastaj ndërtimi i linjës hekurudhore Shkup-Mitrovicë, janë arsyet kryesore që Vushtrria nga një superfuqi që ishte, i humbet gradualisht vlera.
Kjo linjë hekurudhore ka ndikuar që në ato stacione ku është ndaluar treni të krijohen qytete të reja duke e humbur kështu ndikimin, vlerën dhe rendësin si qytet.
“Këtë rast Vushtrria e ka pasur atë mundësi dhe ka qenë qendër e Sanxhakut deri në fund të shekullit XVII kur për shkak të disa ngjarjeve të mëdha që janë zhvilluar sidomos të luftërave austro-osmane 1689-99 ku janë zhvilluar luftëra të mëdha, dhe sipas murtajës ka pasur vdekje të madhe të njerëzve dhe në këtë mënyrë gradualisht e humbë vlerën dhe pozitën që kishte, tash kalon gradualisht qendra në Prishtinë”, tha Miftari.
“Mirëpo goditjen ose rënien më të madhe qyteti i Vushtrrisë e ka pas kur është ndërtuar hekurudha Shkup-Mitrovicë në vitet 1871-1874, si rrjedhojë e kësaj hekurudhë lindin qytete të reja e një ndër ato është edhe Ferizaj, pastaj lind edhe qyteti në veri Mitrovica, në atë mënyrë lindin edhe Fushë Kosova por edhe Obiliqi apo Kastrioti”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas Miftarit, ky qytet ka arritur të i mbijetojë kohës, gjë që disa qytete të tjera shqiptare nuk arritën.
“P.sh kemi qytete që janë antike por sot nuk janë p.sh. Saranda, ne nuk e dimë saktë ku ka qenë, është Damasioni ende saktë nuk dihet ku ka qenë, është Ulpiana parku arkeologjik që ka qenë njëri ndër qytetet më të mëdha në antikë por që sot është vetëm një park arkeologjik që mund të vizitohet si një trashëgimi kulturore por nuk është një qytet sikurse Vushtrria që ka arritur ti përjetoj prej periudhës antike deri me sot. Pra është një qytet antik mesjetar dhe modern. Kulmin më të madh e ka arritur në shekullin XV-XVII. Pas çlirimit Vushtrria pati një fat më të mirë për shkak se pas vitit 1999 për shkak se Mitrovica ka telashe politike është qyteti i ndarë në dy pjesë dhe si rrjedhojë e kësaj, Vushtrria është zhvilluar shumë në raport me Mitrovicën dhe pas vitit ‘99 sidomos pas shpalljes së pavarësisë, qyteti i Vushtrrisë është duke kaluar gradualisht në qytet mesatar megjithëse është larg ti bëjë konkurrencë Prishtinës, Prizrenit apo Ferizajt por është duke u konsoliduar si një qytet që po hyjnë në mesin e qyteteve të mesme të zhvilluara të Kosovës”, deklaroi Miftari.
Ndryshe, qyteti i Vushtrrisë njihet edhe si qyteti i Hasan Prishtinës dhe qyteti i takimeve poeteshave nga të gjitha trojet shqiptare.
E veçanta tjetër e Vushtrrisë është edhe konsumimi i çajit, i njohur ndryshe si “çaji i rusit”.
Por, pse ka mbetur kjo traditë dhe si i mbeti emri “çaj i rusit”, na tregon Miftari.
“Gjatë shekullit 15-18 Vushtrria ka qenë qendër Sanxhaku dhe Prizreni dhe Vushtrria një kohë kanë pasur një kulturë ndikuese orientale të perandorisë Osmani.
Dhe çaji pak a shumë kuptohet se është traditë osmane turke edhe pse njihet si çaji rus është gabim sepse me gjasë çajin këtu e kanë pru tregtarët rus ose serb ose skllav e gradualisht është kriju kjo. Mendoj që edhe ka pas shumë begler, ka pas shumë agallarë ka pas edhe pashallarë, edhe kështu që edhe çaji ka qenë një lloj zotnillaku, dmth jo çdo kush ka mund me pas privilegjin e pirjes së çajit. Për shkak të ndikimit dhe një qyteti të madh osman që ka qenë ka mbet edhe çaji si traditë e vjetër e Vushtrrisë”, ka thënë ai.
Ndryshe, në qytetin e Vushtrrisë nga 70 mijë banor rezident 98.6 për qind e tyre janë shqiptarë.
Lartësia mbidetare e Vushtrrisë është 500 metra, ndërsa nëpër Vushtrri kalojnë 2 lumenj, lumi Sitnica dhe lumi Tërstena.
Një karakteristik tjetër është që lumi Tërstena përshkon në mes të Vushtrrisë duke e ndarë qytetin në dyshë./Arbresh.info/ Ejona Hyseni /
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...