Google ADS

Historia e babait të tetë fëmijëve dhe marrja e rrugëtimit për t’iu bashkuar UÇK-së

13:28 | 5 Shkurt 2022
S D

Rruga e lirisë për shumë luftëtarë nuk ishte e lehtë, të gjitha ata kishin një objektiv, një shënjestër dhe një qëllim që sot disa nga ta me kujtime, disa të kthjellëta e disa të turbullta, po e gëzojnë atë, shkruan arbresh.info.

Ismet Durmishi, nga fshati Rakinicë i komunës së Skenderajt, i cili ishte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e brigadës 112 – Arben Haliti, për arbresh.info rrëfeu një ngjarje që akoma nuk e largon nga mendja.

“Për herë të parë në formacione të rregullta, jam lajmërua në maj të ‘98-ës, d.m.th togu jonë i Rakinicës ka bë pjesë në brigadën 112-Arben Haliti, me komandant brigade Jetullah Geci”, tha Durmishi.

Babai i tetë fëmijëve la ata bashkë me bashkëshorten nën mëshirë të fatit dhe ia mësynë Shqipërisë për të siguruar armatim.

“Historia, përkujtimi i atyre gjërave është shumë i madh ato nuk harrohen kurrë. Unë jam babë i tetë fëmijëve që të gjithë i kam pas edhe në atë kohë e i kam edhe sot”, tha ai.

Një grup prej 400 vetash ishin nisur për Shqipëri, por kjo rrugë për ta nuk kaloi mirë.

U deshën dy javë që ata të presin dhe të marrin armët e të marrin rrugën për në Kosovë.

“Këtu është vërejt mungesa e armatimit edhe i kam lënë në shtëpi shoqen me tetë fëmijë edhe ia kom mësy Shqipërisë për armatim. Megjithëse, komandanti, nuk ka qenë qejfi i tij që me shku, jo për diçka tjetër, por arsyeja e fëmijëve edhe vendosa me shku në Shqipëri d.m.th në ‘98-ën. Nga fshati im kemi qenë shtatë, a numri i grupit ka qenë shumë i madh diku mbi 400 persona. Kemi shku me Bekim Berishën “Aben”, tani dëshmor i kombit, po ashtu edhe Bedri Shalën, dëshmor i kombit, kemi dalë andej, mirëpo kishte pasur mungesë armatimin në Shqipëri në atë kohë. Kemi prit më shumë se dy javë ditë e më pas kur jemi armatosë pa uniforma e kujtojë një fjalë të madhe të Bekim Berishës, na insistojshum me pas uniform, edhe na thojke e që këtë fjalë nuk e harroj kurrë “uniforma ushtarë nuk të bën”, rrëfeu Durmishi.

Paramilitarët serbë tashmë u kishin zënë priten, e siç thotë Durmishi, pritja ishte e orkestruar.

Një zë nga komanda urdhëroi të ndalen. Diku 50 kuaj të ngarkuar me armë ndaluan.

“Tu ardh rrugës te “Rrasa e Zogut”, kemi ra në pritë. Prita ka qenë e orkestrume, e qëllimshme me vetëdije të plotë. Na ka ardh një urdhër, ndalni kuajt, i kemi pas diku 50 kuaj me armatim kanë qenë të ngarkuar, edhe ka vazhdu ai urdhër janë ndal kuajt na kemi rënë në prit. Unë i kam pas dy armë, një e kam pas për veti dhe një djalit të mixhes, ku ata të dytën e kom ble me pare atje. I kom ni dy vetë, janë kap diçka ne mes vete edhe në rresht te unë ka kërsit revolja përpjetë njëherë, edhe na kishin zanë shkit një pozicion, edhe kanë gju aty s’kanë pas nevojë me shti në shënjestër kërkon nuk ju kish shku huq veç me gju”, tha Durmishi.

Dy nga shokët e afërt të Durmishit ranë dëshmor dhe kjo këmbësori e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u nda në dysh, disa hynë në territor të Kosovës e Durmishi me disa tjetër u kthyen prapë në drejtim të Shqipërisë.

“Aty kanë mbetur të vrarë, numrin nuk e di saktë, e prej shokëve që i kom njoftoj, shok që janë vra janë Adem Ademi i Galicës edhe është Bashkim Kerolli i Polacit, edhe thuhet që është vrarë një i huaj. Tash neve na ka pre prita ku një pjesë diku 30-40 me ata që na ka prijë kanë depërtuar kanë hy në mal, na jem kthy mbrapa e ku kemi mbetë edhe 10 ditë deri sa na ka nis “Abeja”, prapë kemi dal me të. Na ka thanë ju keni me pa dritën e Kraullës qetu ka të kaloni, thojke “A di hija që shkon natën, si hije kena me kalu asajde”, shumë e vërtet kemi me kalua jena dal në Junik”, tha Durmishi.

Kalimin nga Shqipëria në Kosovë pas atij qëndrimi 10 ditorë në male pas sulmit, Durmishi e kujton si festën e Bajramit.

“Sikur kur kemi qenë fëmijë që kemi shku me prindërit tanë më falë Bajramin e hala pa e kry hoxha ja bëjshim përhajr Bajramin njëri-tjetrit, të njëjtin sen e kemi bërë atë ditë me shok tu u përqaf që kalum edhe dolëm në Kosovë. Kemi pushu në Junik, aty kam pas rast ta shoh Naim Malokun, “Aben” e kena pas me veti, kena pushu aty një ditë tërë ditën, në mbrëmje jemi nis për vende tona”, tha ai.

Durmishi më vonë bëhet edhe komandant togu.

Ideali dhe vullneti ishin dy gjërat që ata i mbajtën gjallë, që sot, ai thotë, se në kushte normale nuk do të mund të kalonte në ato rrugë.

“Unë çdo herë kam qenë i pozicionuar gjithmonë nën urdhëratë e brigadës 112, me komandant Jetullah Geci, dhe komandantin e batalionit Xhevahir Gecit, tani kam ardh unë si komandant i togut e kemi pas hierarkinë shumë funksionale. Këtë gjë që e kemi ba na ka qenë vetëm vullneti edhe ai ideali se qetash për kurrfarë çmimi nuk kisha mujt me ba atë sen tash jo se jo por edhe në kushte normale që hiq so lufta në ato shtigje jo unë po as shokët e mi. Na shkojmë çdo vit te “Rrasa e Zogut”, por shkojna deri në Junik me vetura tona nga Juniku na dërgon FSK-ja, se është teren jo i përshtatshëm.”

Rënien heroike të familjes Jashari, Durmishi thotë se e kanë përjetua shumë rëndë.

“Unë kam qenë në shtëpi dhe i paarmatosur, nuk kam pas uniform, me mixhën tu ba llaf, janë një krismat të hatashme edhe kena dal një pjesë deri mi Llaushë edhe kena përcjell, e kemi përjetua shumë rëndë’, tha Durmishi.

Sytë e tij tregojnë shumë e mesazhi që ai dha për rinin tonë ishte që ata të rrinë në Kosovë dhe të punojnë shumë.

“Falënderimi, respekti ju takon çdoherë dëshmorëve të kombit. Rinisë apel, jetohet edhe në Kosovë, rrini në Kosovë, vazhdoni në Kosovë se edhe këtu ka bukë, edhe këtu punohet, edhe këtu ka punë gjane vetën në Kosovë”, tha Durmishi.

Teksa vitet po kalojnë e gjërat ndryshojnë, por për këta luftëtarë, ora ka mbetur në ato male ku akoma edhe sot ata i kujtojnë, i dëgjojnë të qeshurat, britmat, të qarat e tyre për tokën e Kosovës. /arbresh.info/S.D/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme