Hill: Serbia ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur

15:03 | 12 Tetor 2023
A Z

“Do të dëshiroja që Serbia ta kuptojë dhe ta njohë se Kosova është shtet i pavarur, por problemi është më kompleks se kaq”.

Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë së Beogradit (BSC) ku ishin të pranishëm edhe i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin.

Në këtë konferencë Hill tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptohet se çfarë ka ndodhur më 24 shtator gjatë sulmit të armatosur nga serbët në Banjskë të Kosovës.

“Si gjëja e parë drejt zgjidhjes së problemit, ne duhet të mbajmë me të vërtetë përgjegjës, përgjegjësit për atë që ndodhi, në mënyrë që të mos ndodhë më”, tha ambasadori amerikan, sipas të cilit, hapi i dytë duhet të ishte “qetësimi i situatës në veri të Kosovës dhe më pas gjetja e zgjidhjes politike”.

“Është e rëndësishme që SHBA dhe BE së bashku të përpiqen të zgjidhin problemet e Ballkanit Perëndimor. Kosova është ende një problem shumë i vështirë për një arsye”, tha ai, citojnë mediet serbe.

Njerëzit, sipas tij, thonë se Serbia duhet të kuptojë se Kosova është një shtet i pavarur, ta kapërcejë dhe të vazhdojë përpara. “Unë gjithashtu do të doja që ajo ta bënte këtë, por fakti është se problemi është shumë më kompleks” deklaroi Hill./rtk

Të ngjashme