Hill: Procesi i Brukselit e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve Kosovë – Serbi që kanë rrënjë të thella në histori

20:20 | 6 Qershor 2024
E.G

Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me e Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën, tha në një intervistë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Në intervistë ai foli edhe për zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet lokale të 2 qershorit, të cilat sipas tij, rrodhën më mirë sesa zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar.

Intervista e mëposhtme është shkurtuar dhe redaktuar për hir të qartësisë.

Zgjedhjet e fundit në Serbi u përshkuan, sipas vëzhguesve, nga anshmëria e medias, trysnia mbi votuesit, blerja e votës. Ambasada juaj i ka vëzhguesit e saj. Cilat ishin përfundimet e tyre dhe cili është mendimi juaj për zgjedhjet lokale?

Christopher Hill: Ndjenja e përgjithshme është se disa probleme kanë mbetur por përgjithësisht kishte përpjekje më të mira sesa në muajin dhjetor. Ka një numër reformash e ndryshimesh që duhet të ndodhin, jo vetëm tani, por përgjatë viteve para zgjedhjeve të ardhshme. Në veçanti disa çështje si qasja në media, duhet të zgjidhen. Ka pasur disa përmirësime. Zgjedhjet janë sprovë për demokracinë dhe shpresoj që njerëzit të bëhen bashkë dhe të vazhdojnë punët e rëndësishme për vendin.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit që të zbatojë rekomandimet e ODIHR-it, por kjo nuk ka ndodhur. Dikush do thoshte se Uashingtoni po i mbyllë sytë rreth demokracisë në Serbi duke ndjekur interesin e tij. Si do të përgjigjeshit?

Christopher Hill: Nuk e di se kush do të mund ta thoshte këtë…

Kritikët?

Christopher Hill: Oh ka shumë kritikues dhe gjithmonë do të ketë, por të jesh kritik nuk do të thotë që ke të drejtë. Ne kemi punuar që të sigurohemi që sa më shumë rekomandime të zbatohen me kohë, para zgjedhjeve të qershorit. Por sikundër sapo e thashë, ndryshimet, reformat marrin kohë. Si mund të shihni nga afër listat e votuesve pa shkelur të dhënat personale. Këto nuk janë çështje që zgjidhen brenda javësh. Mendoj që ishte e shëndetshme dhe e dobishme që pati takime mes opozitës dhe partisë në pushtet. Mendoj se duhet të vlerësojmë përpjekjet e kryetares së parlamentit Ana Bërnabiç, e cila i bëri njerëzit bashkë. Nuk është punë e lehtë, meqë zgjedhjet nuk e nxjerrin pjesën më të mirë të njerëzve.

Gazetari Vuk Cvijiç është sulmuar fizikisht në rrugë. Më parë gazetari Dinko Gruhonjiç. Ju e mbrojtët zotin Gruhonjiç. por nuk reaguat për zotin Cvijiç. Ku është dallimi mes këtyre rasteve…?

Christopher Hill: Nuk kam njohuri për rastin e fundit, por ju siguroj se ne jemi shumë të zëshëm kurdo dhe kushdo që është sulmuar nga mediat apo është kërcënuar sepse nuk ka vend për diçka të tillë në shoqëritë bashkëkohore…

Presidentët e Serbisë dhe Republikës Serbe kanë paralajmëruar tubim të madh kombëtar në Beograd. Madje Milorad Dodiku tha se do të shkojë në tubim drejtpërdrejt nga Rusia. Po ashtu kemi qeverinë e re serbe me dy ministra që janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë të afërt me Rusinë. Duke pasur parasysh këto, e shohin Shtetet e Bashkuara Serbinë si partner të qëndrueshëm, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta me Rusinë dhe duke ngulur këmbë për ato lidhje?

Christopher Hill: Pikë së pari, sa i përket përbërjes së qeverisë ne e kemi bërë të qartë pikëpamjen tonë. Ne e kemi bërë të qartë po ashtu se nuk formojmë qeveritë e të tjerëve, nuk na takon një gjë e tillë. Së dyti, sa u përket marrëdhënieve të Serbisë, ajo mund të ketë marrëdhënie me vende tjera dhe nuk është detyrë e jona t’i themi se me kënd mund të flasin apo të mos flasin. Thjeshtë kjo nuk është cfarë bëjmë ne. A mund të jetë Serbia partner i qëndrueshëm? Po mundet dhe po punojmë për këtë çdo ditë.

A po bën Serbia mjaftueshëm për të ndihmuar Ukrainën…?

Christopher Hill: Duhet ta pyesni qeverinë serbe për hollësitë. Ne ishim të kënaqur të shohin shtimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës. Zonja e parë e Ukrainës vizitoi Serbinë dhe ishte një vizitë e rëndësishme. Ministri i Jashtëm ukrainas ishte në Serbi po ashtu. Zonja (Tamara) Vuçiç ishte në Ukrainë vitin e kaluar. Marrëdhëniet janë përmirësuar vërtetët dhe jam i kënaqur për këtë. Më duhet ta bëjë të qartë qëndrimin tonë, që besoj se ndahet edhe nga serbët, se agresioni rus në Ukrainë nuk duhet lejuar të vazhdojë. Ky është një problem i madh për gjithë Evropën, përfshirë Serbinë. Prandaj duhet të gjithë ta bëjmë të qartë qëndrimin tonë dhe serbët besoj e kanë bërë këtë duke votuar në mbështetje të Rezolutave të Kombeve të Bashkuara për këtë çështje. Po ashtu prapa perdeve kanë punuar në përpjekjet për të rivendosur paqen dhe sigurinë në Evropë.

Të flasim për Kosovën. A mendoni se politika perëndimore ndaj Kosovës ishte e suksesshme duke pasur parasysh shtimin e tensioneve të herë pas hershme…?

Christopher Hill: Nuk mund të flasë për politikën perëndimore ndaj Kosovës. Mund të flasë për politikën tonë me Serbinë dhe bashkëpunimin në këto çështje. Ne e kemi inkurajuar Serbinë të mbetet e angazhuar në procesin e Brukselit dhe ajo e ka bërë këtë dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë duke paraqitur idetë e tyre për zgjidhjen e çështjeve, qoftë ajo e Bankës Postale të Kursimeve, apo çështje të tilla. Pra, ne kemi një dialog shumë të mirë me qeverinë serbe. Kjo është çështje e vështirë sepse siç e dini Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë mospajtim thelbësor meqë Serbia nuk e njeh Kosovën, ndërsa Shtetet e Bashkuara e njohin. Por, brenda kuadrit të këtij mospajtimi, kemi bashkëpunim shumë të mirë për këtë çështje dhe do ta vazhdojmë atë.

Çfarë duhet të bëjnë Beogradi dhe Prishtina për të rifilluar dialogun dhe për të ecur përpara në procesin e normalizimit?

Christopher Hill: Sërish do të flasë për atë çfarë duhet të bëjë Serbia. Ne e çmojmë faktin që kemi qenë në kontakt të ngushtë, e kuptojmë se çfarë përpiqet të bëjë, cilat janë shqetësimet dhe gjërat në të cilat mendon se mund të bëhet përparim. Për të gjithë ne, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, është me rëndësi të mbështesim përpjekjet e ambasadorit Miroslav Lajçak, sepse është e vetmja rrugë që këto çështje që kanë rrënjë të thella në histori të zgjidhen.

Të ngjashme