Hill: Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit

07:25 | 9 Qershor 2023
Diellza Gashi

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë probleme thelbësore me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur, për shkak të papajtueshmërive për situatën e tensionuar në veri.

Hill ka thënë se është i pasigurt nëse Kurti ende mund të konsiderohet partner i SHBA-së, por ka thënë se ky vendim i takon ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka deklaruar Hill te Zëri i Amerikës.

Hill ka theksuar se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime në qasjen e tij lidhur me veriun, nëse dëshiron që të llogaris si partner te SHBA dhe BE. Sipas tij, kjo gjë i është bërë e qartë nga ambasadori në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka thënë se nuk mban mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të mëdha mes Prishtinës dhe Uashingtonit.

“… mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, ka thënë Hill.

Ndërkohë, duke folur për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Hill ka thënë se e konsiderojnë partner të mirë.

“Ne e konsiderojmë atë si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive”, është shprehur Hill.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme