Hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale kanë bërë një raport të veçantë për Aeroportin e Prishtinës, ku thuhet se thyerja e protokolleve të sigurisë me prishje radarësh e mungesë gjeneratorësh janë vetëm një anë e problemeve, derisa ngrenë dyshime për keqpërdorime financiare në projekte milionëshe.
Në këtë raport që e ka Express, hetuesit dyshojnë se edhe një firmë ndërtimore e afërt me drejtuesit kosovarë të Aeroportit “Adem Jashari” është themeluar me para të keqpërdorura nga projektet shtetërore.
Ishte 16 shtatori i vitit 2016 dhe Sekretari Amerikan i Shtetit do të vizitonte Kosovën. Dy orë para arritjes së tij në Aeroportin e Prishtinës u ndal rryma. Gjeneratori nuk u ndez dhe me vetëm dy rezerva “UPS” stafi i aeroportit nën ethe po e priste këtë zyrtar të lartë të shtetit amerikan. Hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale (EUOCI), në një raport special për EULEX’in, të klasifikuar si konfidencial, e përshkruajnë këtë rast në detaje.
Në këtë raport që e ka siguruar Gazeta Express, EULEX ngre shqetësime për dështime serioze në sistemin e sigurisë së Aeroportit “Adem Jashari” dhe për krime financiare në projekte milionëshe, në të cilat pretendon të jetë i përfshirë Drejtori i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror (AShNA), Bahri Nuredin.
“Ky (incidenti me Sekretarin Amerikan të Shtetit) nuk ishte një incident i izoluar”, pretendohet në këtë raport dhe thuhet se arsyeja është se në Kullën e Aeroportit mungon edhe një gjenerator i dytë rezervë që duhej të sigurohej, diçka që kurrë nuk u bë, dhe një marrëveshje për shfrytëzimin e gjeneratorëve të kompanisë turke LIMAK që menaxhon me Aeroportin ishte arritur, por Bahri Nuredini u kishte thënë zëvendësve të tij se duhet të mos bëjnë zhurmë për këtë çështje derisa ai të kthehej nga pushimet.
Një gjenerator i dytë nuk u sigurua, dhe në mars 2017 edhe një avari tjetër me rrymë u shkaktua në Aeroport. Gazeta Express ka raportuar për këtë incident, duke publikuar përmbajtje nga një tjetër raporti konfidencial për këtë incident që ndodhi në qershorin e këtij viti, ku për afro një orë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kishte mbetur pa sistemin e komunikimit. Dokumentet që kishte siguruar Gazeta Express, provojnë se dështoi madje edhe sistemi rezervë për komunikim. Gjithçka dështoi, por ishte tentuar të mbahej sekret, dhe i tillë ishte derisa u publikua nga Express.
Në këtë raport konfidencial të EUOCI, të cilin e ka Gazeta Express, ngriten shqetësime për tri çështje: prishjet e rrezikshme me pasoja serioze të sigurisë, si prishja radarëve dhe pjesëve rezervë te komunikimit, rreziku serioz që vjen me mungesën e gjeneratorit rezervë në Aeroport dhe, mbi të gjitha, dyshimet serioze e të bazuara për krime financiare nga menaxhmenti i AShNA .
Në shqetësimin e parë të EUOCI është përmendur prishja e radarit që ndodhet në kodrat e Golshit. Prishja e parë kishte ndodhur në fund të viti 2016, më 28 dhjetor, dhe hetuesit e EUOCI tregojnë që madje nuk ishte bërë asnjë lëvizje konkrete në ndërrimin e pjesës së dëmtuar të radarit deri më 2 janar 2017. Afro 5 ditë radari qëndroi i prishur.
Raporti tregon se më 1 janar u tentua që të ndërrohej pjesa e prishur e radarit, por askush nga stafi teknik nuk ishte aty, se ishte ditë pushimi.
Por, gjatë kësaj kohe, edhe pse në terren nuk u tentua asgjë, menaxhmenti kishte tentuar që ta dërgonte dikë në Shqipëri për ta blerë pjesën e prishur të radarit, pjesë që mund të kushtonte 20 mijë euro, dhe në fund nuk u soll, sepse nuk ishte pjesa e duhur. Megjithatë, më 3 janar problemi u zgjidh duke e riparuar atë pjesë të dëmtuar në një punëtori në Ferizaj, dhe kushtoi vetëm 100 euro, apo 19 mijë e 900 euro më lirë sesa pjesa të blihej në Shqipëri, tërheq vërejtjen raporti.
Çështja e tretë e ngritur nga hetuesit evropianë në këtë raport që e deponuan në EULEX është edhe dyshimi për përfshirje në krime financiare të drejtorit të AShNA’së, Bahri Nuredini.
Burimet e konsultuara u kanë thënë hetuesve të EUOCI’it se që në fillim ka parregullsi dhe mospërputhje në mes të numrave kur llogariten fluturimet dhe trafiku në Aeroport në mes të Kullës dhe raporteve që vijnë tek ta nga kompania turke LIMAK.
“Ka një dyshim për ‘manipulim financiar’ në lidhje me të ardhurat të kalkuluara nga LIMAK për Agjencinë për Shërbime të Navigacionit Ajror”, thuhet në raport.
Hetuesit evropianë ngrenë shqetësime për tenderin “Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve të navigimit ajror” i viti 2011 i cili peshonte 8.1 milionë euro. Projekti i ishte dhënë, sipas raporti, një kompanie me emrin “TCN” dhe ai ishte gati i finalizuar, por për shkak të një borxhi prej afro 600 mijë eurove, që AShNA’i i kishte kësaj kompanie, ajo e paditi këtë institucion, me çka praktikisht kontrata u prish dhe projekti nuk u realizua.
Edhe pse pjesa më e madhe e parave iu dhanë “TCN’së”, sipas raportit, shumica e pajisjeve kurrë nuk u sollën në Aeroport nga kjo kompani private. “Aktualisht, Kulla e Kontrollit përdor pajisje, furnizim i KFOR’it i vitit 2004”, thuhet në këtë raport.
Raporti shkon tutje duke folur edhe për një tender për ndërrimin e pjesëve rezervë për radarët e nevojshëm për Aeroportin e Prishtinës, njëri i vendosur në Golesh dhe njëri në Shqipëri. Vlera e tenderit të parë për këto pajisje ishte përllogaritur të ishte jo më e madhe se 20 mijë euro. Por, burimet u kanë thënë hetuesve evropianë se tenderi u ndërrua në mënyrë të dyshimtë dhe ai iu dha kompanisë “Bo-TeK”, por kontrata tash ishte për të blerë vetëm një pjesë të rotorit të radarit dhe kushtoi 47 mijë euro.
Hetuesit evropianë shprehin shqetësim po ashtu edhe për një kontratë të Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror që e ka me një kompani private me emrin “H&B Consultants”, e cila merr nga 10 mijë euro në muaj nga AShNA’ja për shërbime të sigurisë.
“Asnjë shërbim nuk është ofruar nga kjo firmë, por paratë janë përdorur nga drejtori Bahri Nuredini që të punësojë një mikun e tij, konkretisht Isa Hajrizin, si shofer, dhe disa nga paratë i merr për vete”, thuhet në raportin në fjalë.
EUOCI gjithashtu ngre dyshime se Bahri Nurdini dhe Bekim Jashari, tash kryetar i Skenderajt e që dikur shërbeu si anëtarë bordi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, kanë ngritur një firmë ndërtimore me emrin “Premium Group”, me të cilën ndërtojnë ndërtesa në Prishtinë, dhe se paratë për këtë biznes profitabil mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport.
Krejt në fund të raportit hetuesit evropianë tregojnë se për këto shkelje të protokolleve të sigurisë, që mund të rrezikojnë jetën e qindra njerëzve që udhëtojnë me aeroplanë përmes Aeroportit të Prishtinës, dhe për keqpërdorime financiare edhe në projekte milionëshe nga menaxhmenti i AShNA’së, është në dijeni Qeveria e Kosovës. Madje edhe ajo e kaluara dhe vetë ish-kryeministri Mustafa ishte vënë në dijeni me këto informacione. Hetuesit thonë se në dijeni për këto informacione janë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit si dhe Policia e Kosovës, por thonë që denoncuesit e këtyre informacioneve kurrë nuk kanë marrë përgjigje nga këto institucione.
Hetuesit e EUOCI’it thonë se këto dyshime duhet të hetohen me patjetër, por zyrtarëve aktualë të EULEX’it u tregojnë në këtë raport se, për shkak të lidhjeve të fuqishme politike të personave që dyshohet se qëndrojnë prapa keqpërdorimeve në fjalë, ndikimet në hetime për t’i penguar ato do të jenë të pashmangshme.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), është themeluar në janar të vitit 2016. Ky institucion ka funksionuar nën statusin e kompanisë publike me emërtimin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Kontrolli Ajror “Adem Jashari”, e që me këtë status ka funksionuar që nga viti 2011, përkatësisht që nga koncesionimi i shërbimeve terminale të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që u koncesionua nga një kompani turko-franceze, konsorciumi “Limak” dhe “Aeroports de Lyon”.
Me këtë rast qenë ndarë Kontrolli i Trafikut Ajror, që mbeti nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe nën përgjegjësinë e të cilit institucion ka ndodhur ky incident, dhe Shërbimet Terminale nga ana tjetër, nën menaxhimin privat të konsorciumit “Limak” dhe “Aeroports de Lyon”./Gazeta Express/
Robert Lewandowski arriti shifrën jubilare në Ligën e Kampio...
FSK-ja shënon sot “Ditën e Forcës”
Trump nënshkruan marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për të fil...
Kurti sot merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës së Sigur...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...