Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka 6 muaj që është i ngujuar në zyrën e tij.
Hetemi u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët etnikë që janë pakicë në tërë Kosovën, por që përbëjnë më shumë se 97% të popullsisë së përgjithshme të Leposaviqit.
Menjëherë pasi Hetemi bëri betimin e tij, ai tha se protestuesit e dhunshëm serbë e rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar që të largohej.
Hetemi ka refuzuar dhe thotë se ka qëndruar në ndërtesë që nga 29 maji pa u kthyer në shtëpinë e tij për asnjë ditë.
“Kush ka dëshirë të qëndrojë në zyrë dhe të flejë në karrige?”, tha Hetemi për Reuters duke përshkruar ditët e para të izolimit.
“Kur kandidoja për kryetar komune nuk e kisha idenë nëse serbët do të tërhiqen nga gara zgjedhore dhe do të bëjnë një manovër të tillë siç bënë ata”.
Më vonë ai gjeti një shtrat për të zëvendësuar karriget dhe fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë çdo dhunë dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhje të reja.
Kostumet e biznesit varen nga muri dhe ka tre shishe mjaltë sipër një tavoline, njëra pothuajse bosh.
Ish-stafi komunal në Leposaviq kanë refuzuar t’i shërbejnë një kryetari shqiptar dhe janë zëvendësuar nga 75 punëtorë të tjerë, të cilët janë po ashtu serbë.
Hetemi tha se kishte qenë i kujdesshëm që të mos prekte asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike.
“Ne nuk kemi prekur asgjë, as pijet e tyre, librat, flamujt e Serbisë dhe as pikturat e tyre,” tha Hetemi, duke treguar tre kuti me flamuj serb dhe simbole të tjera.
“Kur ata do të kthehen ata do të gjejnë gjithçka siç u larguan sepse ne nuk duam të shkatërrojmë asgjë.”
Jashtë, ushtarët amerikanë që thoshin se ishin nga Teksasi dhe janë pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë, po hanin mëngjes ndërsa qentë endacakë shpresonin për të mbeturinat. Hetemi, duke i parë nga kati i tretë, del çdo ditë në një tarracë për të marrë ajër të pastër dhe për të parë qytetin.
Hetemi tha se është i gatshëm të përfundojë mandatin e tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.
Në një shenjë progresi, banorët vendas kanë kërkuar shërbimet e komunës për të regjistruar makinat e tyre.
Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar një afat më 15 dhjetor për rreth 10,000 automobilistë që të regjistrojnë veturat e tyre me numrat e Kosovës ose do të përballen me dënime të rënda.
Për vite me radhë, shumë serbë etnikë kanë refuzuar të regjistrojnë automjetet me targa të veturave të Kosovës, duke përdorur sistemin e tyre në vend të kësaj, i cili shihet si i paligjshëm nga Prishtina./Arbresh.info/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...