Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, i themeluar gjatë vitit 2023, këtë vit pritet të funksionalizohet në tërësi. Ekspertët thonë se ky institut duhet të mbledhë ekspertët më të mirë për të hulumtuar e dokumentuar krimet e luftës, që mund të shërbejnë si prova për përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.
Të shumta e të llahtarshme ishin krimet që Serbia i kreu gjatë luftës së fundit në Kosovë. E, ndonëse kishte me mijëra vrasje, qindra masakra, e dëme materiale të pallogaritshme, zyrtarisht, që nga çlirimi i vendit në qershor të 99-ës, pak është punuar për dokumentimin e tyre.
Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011 nga Ministria e Drejtësisë. I njëjti ishte mbyllur në vitin 2018. Ndërkohë, me qëllim të dokumentimit të krimeve serbe, në korrik të 2023-ës, Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të Qeverisë, miratoi Ligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Sipas ligjit, ky institut mes tjerash ka kompetenca dhe përgjegjësi për të hulumtuar dhe dokumentuar “krimet e kryera gjatë luftës, duke siguruar të dhëna të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe shpirtërore/psikologjike, dëmeve ekonomike/materiale, dëmeve në ambient, pronës kulturore, dhe llojet e tjera të dëmeve të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës”.
Drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, në një intervistë në “Fokus” të Radio Kosovës, ka shprehur besim se brenda vitit 2024 do të funksionalizohet instituti, që pritet të ketë rreth 40 punonjës dhe të përbëhet nga dy departamente kryesore.
“Instituti do të ketë një departament të dokumentimit, në kuadër të të cilit do të jetë arkiva fizike dhe ajo digjitale. Përveç kësaj, instituti do ta ketë edhe departamentin e hulumtimeve që të mblidhet, dokumentohet, verifikohet dhe arkivohet materiali, dhe në anën tjetër edhe të hulumtohet nga perspektiva të ndryshme”, tha ai.
Hetemi nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të dalin rezultatet e para të punës së institutit, por ka thënë se është duke u punuar për sa më shumë rezultate në punë.
Akademik Arsim Bajrami, e vlerëson si hap të duhur rithemelimin e institutit për krimet e luftës. Puna në institut mund të shërbejë për përgatitje të padisë për gjenocid kundër Serbisë, thekson Bajrami, i cili ka të shkruar një libër për gjenocidin serb në Kosovë.
“Ky institut mund të jetë mundësi e mirë që të mbledhë ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë për të hulumtuar e dokumentuar krimet e luftës, të fillojë të përgatisë provat dhe argumentet ligjore që janë elemente kyçe për përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë. Kjo nuk është një çështje partiake apo e një qeverie, por është detyrë e pa kryer shtetërore. Uroj që Kosova asnjëherë të mos heq dorë nga e drejta për të bërë padi dhe kjo të bëhet në mënyrë profesionale që rasti të fitohet”, tha ai.
Profesor Bajrami thekson se ishte vendim jo i duhur mbyllja e institutit paraprak, teksa shton se Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar rishtas, duhet të jetë i përhershëm dhe të ketë institute përcjellëse, përfshirë një muze për gjenocidin./rtklive
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Sot mblidhet Qeveria e Kosovës
Situata energjetike në Kosovë, Rizvanolli takon sot përfaqës...
Osmani pret në takim lamtumirës Ambasadorin Hovenier
Parashikimi i motit për të premten
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...