Nga viti 2011 kur kanë nisur, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar nën ndërmjetësimin e tre shefave të ndryshëm të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell.
Secili ka dhënë kontributin e vet, dhjetëra takime janë zhvilluar, e po aq marrëveshje janë arritur. Por, mbërritja te qëllimi përfundimtar mbetet ende larg.
Udhëheqësit politikë të negociatave, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, nuk janë takuar qysh më 14 shtator të vitit 2023.
Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic. Ky përshkallëzim i situatës – më i rëndi ndër vite – i ka çuar pastaj marrëdhëniet mes dy vendeve në pikë kritike.
Shefi në largim i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, ka bërë përpjekjen e fundit më 26 qershor, për t’i ulur bashkë Kurtin e Vuçiqin, por pa sukses.
“Ka qenë takimi i njëmbëdhjetë i liderëve që kam kryesuar unë. Pra, takim me liderët, jo mes tyre. Sepse, kësaj radhe, nuk ka pasur takim trepalësh”, ka thënë Borrell.
Drejtimin e politikës së jashtme të BE-së tani pritet ta marrë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
Ajo është shfaqur këtë javë në seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, ka folur për luftën në Ukrainë, për konfliktin në Lindjen e Mesme, për rrezikun nga Kina, për forcimin e mbrojtjes në Evropë e çështje të tjera, por, çuditërisht, fare pak për Ballkanin Perëndimor – rajonin ku BE-ja ka shumë ndikim dhe është e përfshirë direkt në disa procese, përfshirë ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo nuk ka thënë asgjë konkrete për këtë dialog që do ta kryesojë vetë, vetëm është zotuar që zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet realitet.
“Unë mendoj se vërtet duhet të kemi një tregim suksesi në pesë vjetët e ardhshëm, sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë atij”, ka thënë Kallas.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë, thotë se është i befasuar nga shpërfillja e Ballkanit Perëndimor në fjalimin për politikën e jashtme të BE-së.
Ai thotë se ka pritur që Kallas ta përmendte atë përkrah rajoneve të tjera të rëndësishme, si Ukraina dhe Lindja e Mesme. Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, ka pritur vëmendje të posaçme.
“Fakti që nuk e ka përmendur Ballkanin Perëndimor gjatë fjalimit hyrës, që ka zgjatur 15 minuta, dhe më pas ka pasur vetëm një pyetje për të nga eurodeputetët, mua më ka tronditur. Ngjashëm edhe fakti se asnjë deputet i Parlamentit Evropian nuk duket se është i interesuar për një rajon që është shumë pranë BE-së”, thotë Jozwiak.
Në mesin e sfidave më urgjente politike, Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, thotë se Kallas, me gjasë, ka zgjedhur t’u japë përparësi çështjeve të sigurisë së BE-së në tërësi dhe ta lërë pak mënjanë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Çështjet që sigurisht do ta dominojnë kohën e saj në detyrë, janë lufta e vazhdueshme mes Rusisë dhe Ukrainës, marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së, sidomos pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, pastaj Kina do të mbetet një çështje e rëndësishme, siguria energjetike, e kështu me radhë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë vëmendje të menjëhershme, nëse nuk ka probleme me sigurinë, të cilat janë shumë të mundshme”, thotë Hartwell.
Viteve të fundit, përshkallëzimi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë ka gjeneruar vazhdimisht sfida dhe konflikte. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje pareshtur përfaqësuesve të të dyja vendeve që zgjidhjen ta kërkojnë përmes negociatave.
Pavarësisht kësaj, zgjidhja e qëndrueshme mbetet larg dhe BE-ja nuk e ka luksin ta lërë anash dialogun për kohë të gjatë, thotë Hartwell.
“Potenciali për destabilitet është mjaft i lartë dhe definitivisht kjo nuk është një çështje për t’u neglizhuar. Aq më tepër, kur kihet parasysh se rajoni i Ballkanit është një zonë e cenueshme e Evropës. Çfarëdo që ndodh në Ballkan, nuk mbetet vetëm në Ballkan, por ka efekt të madh të shtrirjes edhe në pjesën tjetër të Evropës”, thotë Hartwell.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka nxjerrë disa kushte për vazhdimin e dialogut – mes tyre edhe dorëzimin nga Serbia të personave përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Në disa raste, ai ka akuzuar Bashkimin Evropian se “përkëdhel” Serbinë – gjë të cilën BE-ja e ka mohuar.
Gjatë një adresimi, muajin e kaluar, ai ka thënë se pret dinamikë të re nga Komisioni i ri Evropian sa i përket dialogut mes Kosovës e Serbisë, por nuk ka specifikuar më shumë.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në anën tjetër, kërkon vazhdimisht nga Kosova që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin ka një marrëveshje qysh në vitin 2013.
Jozwiak beson se shumë lëvizje në procesin e dialogut do të intensifikohen pasi Kosova t’i përfundojë zgjedhjet parlamentare në shkurt të vitit 2025.
I pyetur se çfarë mund t’i shtyjë gjërat përpara, Jozwiak kujton një bisedë të tijën me ish-shefen e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila ka ndërmjetësuar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë:
“Ajo ka thënë se salca sekrete është të angazhohesh dhe të bisedosh, e të bisedosh, e të bisedosh dhe t’i njohësh dy udhëheqësit. Tani kemi – le t’i quaj – dy burrështetas të fortë në Kosovë dhe Serbi, që kanë mbështetje të madhe në vendet e tyre”.
“Ata dy burra do të bëjnë ose nuk do të bëjnë marrëveshje. Dhe Kaja Kallas, ose kushdo që është në pozitën e saj, do të duhet të pijë shumë kafe me ta ose edhe gjëra të tjera”, thotë Jozwiak.
Për Hartwellin, topi është fillimisht në anën e BE-së. Sipas tij, Kallas duhet t’i nxisë pesë vendet mosnjohëse të bllokut – Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë – që ta njohin Kosovën dhe, në këtë mënyrë, t’i bëjë trysni Serbisë për të hequr dorë nga refuzimi për njohjen e Kosovës.
“Për aq kohë sa Serbia e sheh Kosovën si pjesë të territorit të saj, ajo e ka për detyrë të mbrojë çdo gjë që ndodh në atë territor dhe kjo krijon një situatë pasigurie. Kjo është e para”.
“E dyta, çdo marrëveshje që BE-ja promovon mes Serbisë dhe Kosovës, duhet të jetë një hap përpara drejt njohjes së Kosovës. Kallas nuk mund të fokusohet në ruajtjen e status quo-së. Ajo duhet ta shtyjë përpara reciprocitetin”, thotë Hartwell.
Për më shumë se një dekadë negociata, Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga lëvizja e lirë deri te njohja e simboleve shtetërore – por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosangazhim.
Asnjëri prej bashkëbiseduesve nuk pret që, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian ta rrisë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, të cilat nga janari do të kenë, po ashtu, administratë të re.
Jozwiak shprehet skeptik për interesin aktual të SHBA-së për t’u angazhuar në këtë çështje.
“Do të kishte kuptim që BE-ja dhe SHBA-ja të ishin në të njëjtën faqe në Ballkanin Perëndimor. Por, kam ndjesinë se dialogu do t’i mbetet BE-së. Nuk jam i sigurt se SHBA-ja ka ndonjë interes real për të qenë në krye kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ndoshta do të ndryshojë”, thotë Jozwiak.
Me fjalët e profesorit Hartwell, Kaja Kallas, si estoneze që është, “e di mirë se çfarë do të thotë të jetosh pranë një fqinji shumë të madh, që paraqet kërcënim të vazhdueshëm ekzistencial për sigurinë tënde”. Ai i referohet këtu Rusisë, e cila ndan një kufi prej gati 300 kilometrash me Estoninë.
Hartwell shprehet i bindur se Kallas nuk do ta ketë prioritet dialogun Kosovë-Serbi, por thekson se është e rëndësishme që të mos e neglizhojë plotësisht. Një qasje proaktive jo vetëm se do t’i qetësonte tensionet mes dy vendeve, por do të ndihmonte edhe në qëndrueshmërinë e rajonit në përgjithësi, sipas tij.
Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme e Estonisë ka theksuar nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.
Se edhe sa kohë do t’u duheshin negociatave që kanë nisur qysh në vitin 2011 dhe kanë prodhuar shpesh pasiguri në vend të zgjidhjeve, nuk e thotë askush. Por, të shpresojmë që jo edhe 13 vjet të tjerë.
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë