Dyshime serioze janë ngritur së fundi për ushqimet nga importi që konsumojnë kosovarët. Për nga cilësia që ato kanë, politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se nuk i plotësojnë asnjë nga standardet e kërkuara në tregjet evropiane.
Madje dyshohet se mallrat e destinuara për Kosovë prodhohen në linja të veçanta.
“Alarmante..”, e ka vlerësuar situatën ditë më parë kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
“Flitet se të gjitha mallrat ushqimore që destinohen për tu shitur në Kosovë, prodhohen nga linja të veçanta jashtë secilit standard”, kishte thënë Pacolli.
Mirëpo, me këto shqetësime nuk janë marrë fare institucionet kompetente të Kosovës.
Gazeta Fjala ka kontaktuar pwr shpjegime Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), por ata nuk ishin të gatshëm për të dhënë përgjigje.
Ngjashëm kanë vepruar edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Bile në këtë institucion thonë se nuk janë kompetent të merren me produktet që importon Kosova.
Serbia, prodhuesja më e madhe e këtyre prodhimeve
Se ka disa lloje të produkteve që në disa shtete prodhohen special për Kosovë, dhe se prodhohen me recepturë të veçantë është në dijeni edhe menaxheri i “MEKA Halal Food”, Burim Piraj.
“Unë nuk e di se sa janë të shëndetshme apo sa janë të dëmshme për konsumatorin këto prodhime mirëpo ajo që dihet mirë është se cilësia e tyre është shumë e dobët”, ka thënë Piraj për Gazetën Fjala.
Sipas Pirajt në këtë kategori të prodhimeve ekstra për Kosovë ka pije nga frutat, qumësht dhe prodhime qumështi, konserva të ndryshme të mishit dhe biskota, ndërsa Serbia është prodhuesja më e madhe e këtyre prodhimeve të dedikuara për Kosovë, edhe pse nuk mungojnë as produktet nga Maqedonia dhe Bullgaria.
Konsumimin i produkteve të huaja në vend të atyre vendore, Piraj thotë se e ka shtyrë propaganda e vazhduar nga qarqe të caktuara kundër prodhimeve kosovare.
“Kjo ka marr hov me propagandën e vazhduar nga qarqe të caktuara kundër prodhimeve Kosovare dhe e kanë bërë që konsumatori më parë të blen prodhimin e huaj se atë vendorë duke mos e ditur se ata në fakt po blejnë diçka që është shumë më e dobët se ajo që prodhohet në Kosovë”.
Piraj thotë se është i kënaqur që Pacolli ka bërë një deklaratë të tillë, pasi që institucionet nuk kanë bërë ndonjë angazhim institucional i cili do të bënte një kontroll më rigoroz ndaj prodhimeve që importohen në Kosovë, e as nuk kanë bërë apel që të konsumohen produkte vendore.
Ai ka thënë se është detyrë që pas çdo deklarate të merren institucionet, edhe sikur të mos ketë të vërteta.
“Çdo qytetar i republikës së Kosovës duhet ta ketë parasysh se nga mallrat e Kosovës mund ndonjëherë të mos ndahen të kënaqur me shijen po kurrë nuk do të kenë indikacione shëndetësore nga to, sepse shpeshherë për të shijuar gjërat më shumë shtohen aditivë të ndryshëm që kanë ndikim në shëndet, qoftë në trashjen enorme të individit po qoftë dhe në komplikime më të thella që kanë pasoja afatgjate në organizëm”, ka thënë ai.
Kaçaniku: Duhet të shqetësohemi
Ndërsa kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se janë në dijeni për deklarimet e Pacollit dhe se shumica e deklarimeve të tij, burojnë edhe nga hulumtimet që i kanë bërë ata.
Kaçaniku ka thënë se ka vend për shqetësime, pasi që institucionet nuk shqetësohen për problemet e qytetarëve të Kosovës.
Ai shprehet se Institucionet sikur harrojnë se konsumatori është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit, nga i cili këto institucione financohen.
“Institucionet e mekanizmat thonë se çdo prodhim, mall ose shërbim që i ofrohet tregut dhe qytetarit konsumator taksapagues kontrollohet. Por, në anën tjetër të gjithë ankohen se pamjaftueshëm janë të motivuar teknikisht, financiarisht dhe me kuadro. Ato sikur harrojnë se po ky qytetar konsumator është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit nga i cili ato financohen”.
Madje, Kaçaniku flet edhe për parregullsitë, shkeljet e të drejtave të konsumatorëve, produktet pa afat ose me afat të manipuluar.
“Realiteti në terren ndryshon, gjejmë shumë parregullsi, shkelje të të drejtave, produkte pa afat ose me afat të manipuluar, kimikate, falsifikime, korrupsion, zhvatje, konkurrencë jolojale, çmime damping, mashtrime me kthimin e kusurit, mashtrime – edhe nga shteti me taksa / tatime të dyfishta dhe mosdeklarimin e ndarjen e tyre për Buxhetin e Shtetit…”, ka thënë Kaçniku. Gazeta Fjala
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist