Sami Uka, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë duhet pritur se do të rritet, teksa ka shtuar se në rastin më të mirë, vendi do të mund të niste me heqjen graduale të masave kah fundi i prillit.
“Do të dëshironim që ky të ishte piku me kaq pak numër të të infektuarve dhe kaq pak viktima, por ne po përgatitemi për akoma më keq, duke shpresuar se do të ndalemi me kaq. Nuk mund ta dijë këtë askush, nuk kemi as përgatitjet dhe as informatat e domosdoshme për të thënë se kemi arritur pikun. Personalisht do të isha i kënaqur nëse kah fundi i muajit nisim t’i heqim gradualisht masat”, ka thënë ai në KTV.
Uka u është referuar 19 rasteve të reja me koronavirus të martën, gjë që ka bërë që të arrijë në 184 numri i përgjithshëm të viktimave.
“Besojmë se do të ketë rritje për një kohë, por pas këtyre dy javëve shpresojmë të bjerë intensiteti, duke u mbështetur në përvojat e atyre shteteve që kanë mbërritur në atë fazë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se shpresohet që rritja e numrit të të infektuarve të mbahet në trend sa më të ulët.
“Shpresojmë ta mbajmë në trend sa më të ulët këtë rritje, që të jetë e përballueshme për sistemin tonë shëndetësor. Me këtë po përballen dhe sfidohen edhe sistemet më të forta shëndetësore në botë”, ka thënë Uka.
Uka ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë ka qenë plotësisht i papërgatitur për një sfidë të tillë.
Ai ka folur edhe për rastin e infektimit të një zyrtari të MSH-së dhe testimit të punonjësve të kësaj ministrie.
“Personi i përmendur ka qenë përgjegjës për karantinën në Qendrën e Studentëve, kështu që ka mundur të ketë kontakt me ndonjë të infektuar. Fatmirësisht nuk kemi asnjë të infektuar tjetër të konfirmuar, por do të vazhdohen të ndërmerren masat për katërmbëdhjetë ditët e ardhshme”, ka thënë ai.
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%
Bahtijari pranon fajësinë në Hagë
Rizvanolli: KRU “Prishtina” ka pasur përmirësime...
Britania sanksionon 5 zyrtarë gjeorgjianë për shtypjen e pro...