Kosova dhe Shqipëria synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave.
Më 29 dhjetor të vitit të shkuar, si hap i parë u nënshkrua marrëveshja dhe filloi së funksionuari një pikë e përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa, disa muaj më vonë pretendohet që të hiqet kontrolli kufitar.
“Ajo që dikur ishte pikë kufitare e Kosovës, nuk ekziston më, është hequr në tërësi. Kemi edhe pjesën tjetër të zhvillimit të marrëveshjes të nevojshme, protokolleve të nevojshme, që të mos ndalen makinat pra këtu, por të ndalen një në disa vetëm për shkak të çështjeve të caktuara të rutinës”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj, duke shtuar se pret që në një afat sa më të shkurtër, më të mos ketë fare ndalesa të veturave.
“E kemi biseduar me kryeministrin Edi Rama dhe me kolegë të tjerë, që diku në ndërrim të moteve të hapet kufiri, përfundimisht. Do të ketë kamera, do të ketë një monitorim, por nuk do të ketë barrikadë fizike, jo prezencë fizike të kontrollit”, pati thënë Haradinaj, pak kohë para vitit të ri.
Kjo nuk ndodhi në ndërrimin e viteve, por, kryeministri kosovar beson se nga data 2 prill, më nuk do të ketë kontrolla fizike në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Zemërim në Beograd
Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave në kufirin ndërmjet dy vendeve i ka zemëruar zyrtarët e qeverisë në Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin, e interpreton ndryshe heqjen e barrierave kufitare Kosovë-Shqipëri. Ai thotë se po “krijohet Shqipëria e Madhe”, e për këtë thotë se disa herë i kërkuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiq që ta shqyrtojë politikën ndaj Bashkimit Evropian, për shkak që Evropa “nuk po e ndalon këtë”.
“Shqipëria e madhe nuk mund të krijohet e të mos shkaktojë konflikte në Ballkan, jo vetëm me Serbinë e jo vetëm me serbët. Kryeministri shqiptar tashmë ka paralajmëruar se dëshiron t’i fshijë kufijtë me Malin e Zi, Maqedoninë e Greqinë dhe porosit se kudo që jetojnë shqiptarët nuk do të ketë kufij ndërmjet tyre.
Kështu formohet “Shqipëria e madhe”, thotë ministri serb i mbrojtjes Vulin, citon agjencia e lajmeve serbe FoNet.
Kufi i hapur me Maqedoninë, Greqinë e Malin e Zi
Hapja e kufirit të Shqipërisë me Kosovën, nëpërmjet lehtësimit të procedurave të kalimit në dogana, është një nga premtimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se ai do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e Greqinë.
“Së shpejti, besoj në pranverën që vjen do ta vendosim kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës në regjimin e kritereve teknike të marrëveshjes së Schengenit.
Një kufi i hapur që e synojmë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e me Greqinë po ashtu, në një të ardhme shumë më të afërt sesa anëtarësimi ynë në BE”, tha Edi Rama në mesazhin e tij për Vitin e Ri.
E kjo ide duket se i ka pëlqyer edhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili është shprehur, se “edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë”.
“Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë. Nuk shoh asgjë kontroversë në qëndrimin e kryeministrit shqiptar lidhur me hapjen e kufijve me fqinjët, përfshirë Maqedoninë. Kjo ide do të sillte edhe përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit” u shpreh Zoran Zaev në fjalimin e tij të fundvitit.
Por si e shohin analistët çështjen e hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri dhe shqetësimet e autoriteteve serbe për këtë çështje?
Naim Rashiti, njohës i çështjeve ballkanike, i tha DW-së se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka hyrë në një fazë të re për shkak të zhvillimeve evropiane dhe rajonale.
“Serbia së bashku me Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë në kuadër të agjendës evropiane po dëshiron një Adriatik tjetër, dhe kjo e ka detyruar Kosovën dhe Shqipërinë që të avancojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.
Kosova dhe Shqipëria kanë qenë realisht të penguara që të bashkëpunojnë për shkak të dy proceseve kryesore, të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe kritereve të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për aq kohë sa Kosovva nuk e merr liberalizimin e vizave, heqja e kufirit me Shqipërinë duket e pamundur”, thotë Naim Rashiti.
Rashiti, thotë se problemi kryesor në Ballkan është ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo Kosovës dhe Shqipërisë apo Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa, moszgjidhja e problemit të Kosovës dhe Serbisë ka filluar të krijojë efektet negative:
Sipas tij, “çështja e taksës e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe po shfaq problemin kryesor në Ballkan.
Të ndodhur në këtë situatë, atëherë Kosova do të detyrohet që me të tjerët përfshirë këtu edhe Maqedoninë të hapë linja të reja bashkëpunimi edhe më të madh.
Telashet Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimi bilateral Serbi-Shqipëri, po shfaq dështimin e të gjitha iniciativave rajonale të krijuara nga BE-ja”, thotë Naim Rashiti, duke shtuar se tash vijnë në pah marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë disa herë janë mbledhur një herë vit për të mbajtur mbledhje të përbashkët.
Të fundit që e mbajtën eshtë ajo e datës 26 nëntor të vitit 2018, ku nënshkruan disa marrëveshje për të lehtësuar barrierat ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Disa nga marrëveshjet e rëndësishme të firmosura janë unifikimi doganor, heqja e tarifave roaming, njohja e ndërsjellë e patentave mes dy vendeve, e disa të tjera.
Për marrëveshje të natyrës së tillë tash e disa vite zhvillojnë dialog edhe Kosova e Serbia, por rezultatet janë të pakta, ndërsa, kohët e fundit është shënuar ede kthim prapa. Është qeveria e Kosovës ajo që vendosi taksa shtesë prej 100% ndaj të gjitha produkteve të Serbisë, për shkak të “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”.
Si pasojë Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën dhe nuk do ta vazhdojë atë pa heqjen e taksës, ndërsa, Kosova thotë se taksa mund të hiqet vetëm atëherë, kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Të ndodhur në këtë situatë, Bashkimi Evropian po provon sërish të ulë në një tavolinë Kosovën de Serbinë, për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjerisht të obligueshme, në mënyrë që të dyja vendet ta vazhdojnë rrugën e reformave me synimin final anëtarësimin në BE, ndonëse në faza të ndryshme./DW
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?