Në dekadën e fundit në Kosovë, ka pasur rritje të pagave në sektorin publik dhe në atë privat.
Sektori privat në Kosovë, i konsideruar si promotor i zhvillimit ekonomik dhe mundësisë për krijimin e vendeve të reja të punës, nuk po arrin të ndjekë trendin e rritjes së pagave siç po ndodh në sektorin publik, thonë përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe përfaqësues të punëtorëve.
Ndryshe nga sektori privat, për punëtorët në sektorin publik në vazhdimësi ka pasur rritje të pagave.
Derisa në sektorin publik në vitin 2012, paga neto mesatare ka qenë 384 euro, sipas të dhënave të fundit, paga mesatare ka arritur në shumën prej rreth 500 euro.
Ndërkaq në sektorin privat, në vitin 2012 paga neto mesatare ishte 333 euro dhe që nga atëherë, kjo pagë është rritur për 15 euro, ose 384 euro në muaj.
Numri i të punësuarve në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 350 mijë.
Nga ky numër, në sektorin publik janë të punësuar rreth 85 mijë, kurse, rreth 250 mijë qytetarë të tjerë llogaritet që punojnë në sektorin privat.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se rritja e pagave në sektorin publik po krijon mospërputhshmëri të pagave mes sektorit publik dhe privat.
“Sektori privat për shkak të vështirësive të shumta në operim, e ka të pamundur që të ndjekë trendet e vazhdueshme të pagave të rritura të shërbyesve publikë. Kjo po krijon një situatë ku sektori publik bëhet shumë më atraktiv sesa sektori privat. Kjo bën që edhe ankesat e bizneseve private për kuadrot e punës të jenë të arsyetuara, pasi që të gjithë punëkërkuesit dëshirojnë që të gjejnë një punë në sektorin publik, për shkak të pagave më të larta, sigurisë në punë dhe kushteve të tjera”, thotë Zeka.
Ndërkohë, të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se më shumë do të dëshironin të punon në sektorin publik.
Arsim Limani, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se në sektorin publik ka kushte më të mira të punës.
“Arsyeja është pagat janë më të larta në sektorin publik. Në sektorin publik kur të punësohesh ke kontratë pune, pastaj zbatimit të Ligjit të punës që sektori publik bën, nuk e bën sektori privat. Ka shumë përparësi puna në sektorin publik krahasuar me atë në privat”, thotë ai.
Përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat kritikojnë institucionet e vendit për gjendjen jo të mirë të të punësuarve në sektorin privat.
Jusuf Azemi, kryetar i kësaj Sindikate thotë për Radion Evropa e Lirë se shteti do të duhej të merrej më shumë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.
Ai thotë se përveç pagave të ulëta, ky sektor përballet edhe me kushte të vështira në punë, siç është orari i stërzgjatur i punës dhe moszbatim të Ligjit të punës.
“Shteti i Kosovës po vepron atëherë kur po protestohet apo kur po bllokohet një institucion. Në rastin e sektorit privat do të ishte shumë vështirë të bëhej një gjë e tillë, pasi që shumë punëtorë nuk kanë as guximin që të dalin dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre që ata kanë në vendin e punës. Punëtorët në sektorin privat kanë nevojë për përkrahjen e shtetit që të intervenohet që të mos ketë shkelje të të drejtave të tyre. Shteti ndihmon ata të cilët bllokojnë shtetin dhe jo ata që punojnë për shtetin”, thotë Azemi.
Ndryshe, sipas një anketë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se të intervistuarit, që punojnë në sektorin publik, kanë raportuar orar më të shkurtër të punës se ata në sektorin privat.
Meshkujt dhe femrat, që punojnë në kompani private, kanë punuar me orare më të gjata krahasuar me të gjitha llojet e punësimit.
Pavarësisht këtyre të dhënave, janë punonjësit e sektorit publik ata që gjatë javës që së kaluar u përfshin në greva. Për tre javë rresht në grevë ishin futur mësimdhënësit, në grevë ishin edhe shërbyesit civil.
Sveçla jep detaje të reja për aksionin e sotëm në veri
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...
Mbi 3 mijë pjesëtarë të policisë iu nënshtruan kontrolleve s...