Google ADS

Hekurudhat para kolapsit, që dy javë s’ka operim të trenave

08:56 | 18 Gusht 2017
Arbresh.info

Hekurudhat e Kosovës po ballafaqohet me një krizë të madhe financiare kohët e fundit. Kjo ka bërë që tash e dy javë të mos ketë asnjë qarkullim të trenave në vendin tonë.

Për të biseduar në lidhje me këtë çështje dhe për ngecjen e zhvillimit të hekurudhës mysafir në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1 ishte Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i INFRAKOS-it.

“Ne e kemi paralajmëruar disa herë opinionin publik, nëpërmjet deklaratave dhe intervistave që i kemi pasur për çështje të krizës, por edhe për çështje të zhvillimeve të përgjithshme, por së fundmi ka qenë kompania TRAINKOS, e cila është kompani e veçantë që merret me operimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave, e cila në pamundësi për t’i mbajtur dhe operuar trenat dhe mjetet lëvizëse në mungesë deri te karburanti si material elementar është detyruar ti ndërpresë trenat dhe kjo ka ndodhë në fillim të muajit gusht. Pra, ka dy javë ditë që të gjithë trenat nacional të udhëtarëve që kanë operuar në Kosovë nuk operojnë më, gjë që TRAINKOS nuk është në mundësi që t’i shërbejë qytetarët në gjithë territorin e vendit”, ka theksuar Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i INFRAKOS-it në RTK 1.

Ai tutje ka thënë se kriza nuk lidhet vetëm me operatorin TRAINKOS, por edhe me infrastrukturën, sepse Qeveria, si përgjegjëse dhe themeluese e këtyre dy ndërmarrjeve publike nuk e ka kryer obligimin e vet ligjor sipas Ligjit mbi hekurudhat e Kosovës.

“Hekurudhat e Kosovës që në vitin 2011 janë ndarë në dy kompani, në INFRAKOS, e cila menaxhon infrastrukturën e hekurudhave si dhe në ndërmarrjen për operimin e trenave, në transportin e udhëtarëve dhe mallrave, që quhet TRAINKOS. Pra, ne jemi dy kompani plotësisht të pavarura në menaxhment dhe borde, por që kemi të njëjtin aksionar dhe sigurisht se jemi familje hekurudhore dhe kemi bashkëpunim”, ka thënë tutje Thaçi.

Ai ka thënë se INFRAKOS është përgjegjës për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore, për rregullimin dhe menaxhimin e trafikut hekurudhor si dhe për menaxhimin e pronës dhe patundshmërisë të cilën e posedon.

Sipas Thaçit dalja nga kjo krizë është që Qeveria e Kosovës t’i paguajë sipas marrëveshjeve paraprake 1.8 milionë euro për INFRAKOS-in, si dhe mbi 1 milion euro për TRAINKOS-in. Nëse kjo shumë nuk paguhet pasojat sipas tij do të jenë të mëdha, sepse nuk do të ketë operim të trenave në Kosovë. Qeveria në shkuarje apo ajo që do të vjen, sipas kryeshefit ekzekutiv të INFRAKOS-it, të ulen urgjentisht dhe të gjejnë një zgjidhje të përkohshme për këtë vit dhe më pas gjithçka të rregullohet me ligj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme