Haziri: “Vrojtuesit e lagjeve“, një përvojë e re për rritjen e sigurisë publike

12:22 | 14 Shkurt 2020
A. B.

Gjilani është njëra nga komunat e Kosovës, ku të premten ka filluar realizimi i programit “Vrojtuesit e lagjes”, si mbështetje për Strategjinë dhe planin e veprimit të policisë në bashkësi, përmes vendosjes së shenjave identifikuese në lagje.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se të gjithë janë jashtëzakonisht të interesuar për t`i ndarë përvojat e mira që vijnë në veçanti përmes programit të ICITAP-it, në rolin dhe përgjegjësinë që mund ta kemi brenda komunitetit tonë, brenda lagjes, apo edhe në institucione.

“Vrojtuesit e lagjes”, është praktikë që ne ndoshta më pak e njohim, por përvoja e sotme ka me treguar që në të ardhmen, përveç këshillave lokalë, mund të aplikojmë edhe forma tjera të ndryshme, që e rrisin sigurinë publike, interesin publik, pjesëmarrjen publike e sidomos preventivën në rastet e veçanta”, ka thënë kryetari Haziri.

Për më tepër, Haziri ka thënë se Gjilani e ka një përvojë në vrojtim që nga periudha e viteve të `90-ta, kur komuniteti ishte vetorganizuar për të përcjellë lëvizjet e forcave serbe.

Alban Ramushi, komandat i Stacionit Policor në Gjilan, tha se shpreson që ky program, përmes vendosjes së tabelave “Vrojtuesit e lagjes” do ta ndihmojë shumë policinë që të pajiset me informata nga terreni, sepse është e pamundur që policia të jetë në çdo cep, në çdo lagje, në çdo fshat.

Përndryshe, Eldin Buzgoviq nga ICITAP-ie ka zbërthyer më hollësisht programin, duke thënë se qëllimi i “Vrojtuesit e lagjes” është ngritja e sigurisë në bashkësi, përmes bashkëpunimit me qytetarët në raportin e rasteve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme