Haziri thotë se po krijohet “Zajednica” dhe po harrohet e kaluara

20:57 | 20 Mars 2023
Emir Abduramani

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se viti 2023 do të sjell një marrëveshje Kosovë – Serbi me krijim të “Zajednicës” dhe injorim të së kaluarës.

Në një postim në Facebook, Haziri ka shkruar se viti 2022 mund të quhet vit i humbur për njohje reciproke me Serbinë, përcjell arbresh.info.

“Viti 2022 ishte vit i humbur për të pasur në qendër një njohje te nxjerrë nga Republika e Serbisë për Republikën tonë, ndërsa vitit 2023 do të jetë me marrëveshje të përkohshme, me status të paragjykuar për Republikën e Kosovës, me injorim të të kaluar së afërt dhe me krijim të Zajednicës plus”, ka shkruar Haziri.

Numri dy i LDK-së ka thënë se kryeministrit Kurti i janë dashur plot dhjetë vjet që të kuptojë se marrëveshja Kosovë – Serbi e vitit 2013 ka qenë “e keqja më e vogël për Kosovën”.

“U deshën më shumë se dhjetë vjet të kuptohet se marrëveshja e vitit 2013 është marrëveshja më e mirë e mundshme apo e keqja më e vogël për Kosovën sa i përket akomodimit të pakicës serbe në nivel të pushtit lokal, në kuadër të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai gjithashtu ka theksuar se kjo marrëveshje e Ohrit i ngjan asaj të Prespës dhe nuk zgjidh ndonjë gjë, marrë parasysh vështirësitë që ngërthen në vete.

“Marrëveshja e Ohrit do t’i përngjajë marrëveshjes se Prespës për Maqedoninë Veriore, e cila në substancë ka debllokuar një proces, por në implementim pritet të dalin vështirësi serioze. Tashmë është një akt i kryer.  Kjo do të mbahet në mend si marrëveshja e parë e kryeministrit Kurti me katër probleme serioze brenda saj”, ka shkruar Haziri.

LDK-ja ka dalë kundër dakordimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb në Ohër për pranimin e zbatimit të planit të Aneksit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.

Nga kjo parti thonë se kryeministri Kurti e ka harruar të kaluarën dhe po mundëson krijimin e Asociacionit, veçse me emër ndryshe, pra, vetë-menaxhim./arbresh.info

Të ngjashme