Google ADS

Haziri: Nëse nuk pajtohemi për presidentin, i bie që po mungon ai që e la zyrën e zbrazët

07:50 | 10 Dhjetor 2020
V. S.

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, duke thumbuar partitë e tjera politike, ka thënë se nuk është kohë e ultimatumeve dhe as e kushtëzimeve, por është koha për dialog të brendshëm për postin e presidentit.

Ai ka thënë se Kosova pas 21 vjetësh po kthehet në istikame politike.

“Kriza politike në të cilën po kalon Kosova pas reagimit të Dhomave të Specializuara për të vënë drejtësi në Kosovë dhe nevoja qytetare për stabilitet politik kërkon pjekuri politike. Nuk lejon dhe as nuk pranon ultimatume siç dëgjuam sonte, nuk pranon kushtëzime siç ishin deklaratat e djeshme dhe të pardjeshme, si dhe nuk e pranon as bojkotin, sepse kemi grupe politike që gjithçka që vjen në tavolinë bojkotohet”.

“Është koha që të sillemi racionalisht dhe të pjekur politikisht. Duhet të ulemi në tavolinë dhe të shtjerrim nevojën e diskutimit, qoftë ajo edhe e emrave të përveçëm brenda partive politike, ose jashtë partive politike. Nëse arrijmë deri te një emër i pranueshëm e zgjidhim problemin, por nëse jo pjekuri politike është që të vendosim për një datë të zgjedhjeve. Opsioni i zgjedhjeve është kushtetues dhe nëse jep zgjidhje, pse mos të pranojmë. Kosova, pas 21 vjetësh, po kthehet në istikame politike fatkeqësisht. Liderët duhet ta kuptojnë që vetëm dialogu i brendshëm i jep mundësi zgjidhjes së problemit në Kosovë”.

“Deklaratat që i kemi dëgjuar gjatë gjithë javës nuk janë të reja. Janë të pritura, por janë befasuese në kuptimin e stabilitetit politik dhe të ofrimit të zgjidhjeve të problemeve. Nuk janë në funksion të zgjidhjes së problemeve. Nëse PDK-ja del me ultimatum që për një periudhë të caktuar kohore jemi të gatshëm të zgjedhim president nga radhët tona, apo ajo e një partie tjetër politike që thotë “o unë o askush tjetër”, ose e një partie të tretë politike që thotë nuk mund të zgjedhet askush president pa zgjedhje, atëherë secila prej tyre po merr istikam politik”.

Haziri deklaroi se “LDK-ja prej ditës së parë ka ofruar konstruktivitet”.

“Kemi thënë që duhet të ulemi dhe të bisedojmë për procesin kushtetues, rrugën kushtetuese, apo për emrin cilido qoftë ai/ajo deri te një mundësi që vendit t’i ofrojmë stabilitet. Nëse nuk ka zgjidhje ose opsion kushtetues që Kosova të përballojë një president, atëherë opsioni i zgjedhjeve mund të jetë njëri nga proceset. Zgjedhjet megjithatë nuk prodhojnë gjithmonë stabilitet”, tha ai ne Klan Kosova.

Si duhet të zgjidhet ngërçi për presidentin, sipas Lutfi Hazirit?

“Të gjitha partitë politike parlamentare duhet të ulen në nivel liderësh dhe ta dialogojnë daljen nga kriza. Duhet ta kuptojnë që formati i presidentit Hashim Thaçi duhet të plotësohet. Nëse nuk arrijnë ta plotësojnë, atëherë janë të paaftë. I bie që po mungon njeriu i cili e ka lënë zyrën e zbrazët dhe po mungon roli i tij për ta plotësuar zyrën e tij. Nëse nuk e vlerësojnë racionalisht veprimin politik për të plotësuar një zyre politike, që është organ i lartë kushtetues, është pafuqi dhe paaftësi politike. Duke mbajtur qëndrim egoist politik dhe duke ndërtuar istikame politike nuk mund të vijë deri te një zgjidhje e problemit”.

I dyti i LDK-së nuk është shprehur shumë optimist se Kosova së shpejti do të ketë president/e.

“Në mungesë të dialogut dhe procesit politik të brendshëm, Kosova do të mbesë edhe për një kohë pa president. Kjo është e keqja që po na ndodh. Vjosa Osmani do të ketë mundësi kushtetuese që të jetë ushtruese detyre edhe për një kohë, por një ditë shterret edhe kjo mundësi kushtetuese. Në situata të caktuara kryetarja e Gjykatës Kushtetuese mund të ketë një rol, por në situatën që po flasim mendoj që nuk krijohet ajo hapësirë. Duhet të ketë proces të brendshëm politik i cili, sado që merr kohë, duhet të gjendet një rrugë deri te ndërtimi i procesit – qoftë ai përmes zgjedhjes së tanishme të presidentit, apo përmes një procesi të ri zgjedhor”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme