Haziri: Kryesia e LDK-së do ta shqyrtojë propozimin e Kurtit për çështjen e Kryeparlamentarit

17:35 | 18 Gusht 2017
Arbresh.info

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e ish- liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti. Ky i fundit përmes një letre të hapur sot u ka bërë kërkesë deputetëve që janë të rregullt në seanca, të propozojnë një kandidat të përbashkët, nëse PAN nuk mund ta bëjë këtë. Haziri, thotë se do ta shqyrtojnë çdo propozim që çon në krijimin e institucioneve.

Propozimi i deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti do të shqyrtohet të hënën nga Kryesia e Lidhjes Demorkatike të Kosovës. Kështu bën të ditur për Express, zëvendëskryetari i LDK’së Lutfi Haziri.

“Kryesia e LDK të hënën mund ta shqyrtojë çdo propozim që dërgon në krijimin e institucioneve të vendit sipas Kushtetutës së Republikës dhe në bazë të rezultateve të 11 qershorit.. kriza që ka hy Kosova në pamundësi me implementu rezultatet e zgjedhjeve te fundit…”, është shprehur Haziri.

Ish lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti sot, përmes një letre të hapur ka propozuar që deputetët pjesëmarrës, të rregullt të seancës konstituive të përzgjedhim një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht.

“Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë”, ka shkruar Kurti.

Por, kujtojmë se nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj e bëri të qartë të enjten se në seancën e ardhshme, atë të 24 gushtit, do ta nxjerrin për votim kandidatin për Kryeparlamentar.

Ai që do të synojë të jetë në krye të Kuvendit nuk do të jetë askush tjetër përpos Kadri Veselit, tha të enjten zyrtari i PDK’së Enver Hoxhaj, i cili beson se javën e ardhshme edhe ndodh konsitutimi i Kuvendit dhe më pas edhe formimi i Qeverisë/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme