Haziri: Koalicioni me AKR hap i madh për ta çliruar jetën politike

23:19 | 16 Maj 2017
Arbresh.info

Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, ka thënë se koalicioni me AKR, Alternativën, Lëvizjen “Vatra”, Lëvizjen për Drejtësi, është hap për të çliruar jetën politike nga ata që shtetin e rrëzojnë dhe ngrisin sipas interesave të tyre partiake.

“Pas shkeljes me dy kembë dhe njëanshëm të marrëveshjes së koalicionit nga ana e PDK, të cilët e mbështetën mocionin e Nismës, ndihmuar edhe nga AAK, VV e Lista Serbe, sipas detyrës kushtetuese dhe mbasë konsulltimeve të mbrendshme disa ditore, LDK sot e finalizoi koalicionin parazgjedhor për herë të parë mbas çlirimit me AKR, Alternativën, Lëvizjen “Vatra”, Lëvizjen për Drejtësi, shoqninë civile e autoritete tjera përfaqësuese në Kosovë. Ky hap i madh është ndërmarrë për me e çliru jetën politike nga ata që shtetin e rrëzojnë dhe e ngrisin kur të dojnë, sipas qefeve dhe interasave të tyre partiake” ka thënë Haziri.

Haziri ka shtuar se ka patur nderin që nga kryetari Isa Mustafa, ka qenë i nominuar dhe i kërkuar që të jetë udhëheqës i kauzës politike të tyre. Mirëpo, Haziri, ka thënë se ka vendosur që t’i jep mbështetje të parezervë Avduallah Hotit.

“Dy fjalë për fund, unë personalisht kisha nderin me qenë i nominuar dhe i kërkuar (sikur edhe dy nënkryetarët tjerë) nga kryetari i partisë, që njëri prej neve ta udhëheqim këtë kauzë politike. Por, duke dashtë me kontribu në rritjen e koalicionëve, në mbështetjen me te madhe të qytetarëve, sikur edhe për mos i nxjerr qytetarët e mi të dashtur të Gjilanit katër herë në votime gjatë verës, apo edhe kolegët e mi në Podujevë e Istog, vendosëm me i dhënë mbështetje të parezervë zotni Avdullah Hotit, për të cilin kam me punu, natë e ditë, drejt fitores plebishitare” ka deklaruar kryetari Lutfi Haziri.

Ai në fund ka falenderuar qytetarët e Gjilanit për bësimin e tyre, duke i bërë thirrje që të vazhdojnë të mbështesin kauzën e tyre të re.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme