Google ADS

Haziri dhe Kurteshi pa asnjë koalicion, vazhdojnë për në balotazh!

17:59 | 12 Nëntor 2017
Arbresh.info

Komuna e Gjilanit, e cila për një mandat të tërë vazhdon të jetë nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 22 tetorit përfundoi me rezultat i cili u mundëson qytetarëve të dalin në votime edhe njëherë.

Pikërisht të dielën e ardhshme, kjo komunë çon në balotazh dy parti politike, atë të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kandidati i kësaj komune, Lutfi Haziri, është kandidati i cili grumbulloi më shumë vota nga qytetarët, por jo mjaftueshëm sa për të mos u përballur edhe me një raund votimi.

E në këtë komunë deri tani partitë e tjera vazhdojnë të qëndrojnë larg përkrahjes për ndonjërën prej këtyre partive.

Madje është pikërisht kandidati Haziri i cili sot, një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore ka bërë të ditur se nuk kanë ende asnjë koalicion të lidhur para këtij balotazhi.

Haziri i kontaktuar nga Indeksonline ka thënë se koalicionin e vetëm e ka me qytetarët.

“Me qytetarët vetëm”, ka qenë përgjigja e shkurtë e Hazirit.

Gjithashtu Indeksonline ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kandidati e PDK-së, në zgjedhjet e 22 tetorit, Zenun Pajaziti, i cili ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim për koalicion të mundshëm.

“Jo, nuk kemi marrë ndonjë qëndrim ende”, ka thënë Pajaziti.

Ndërkohë Indeksonline ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kandidati i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi se a ka ndonjë parti që ka shprehur përkrahje për kandidimin e tij por ky i fundit nuk është përgjigjur.

Kandidati i zgjedhjeve të 22 tetorit nga radhët e AAK-së, njëherësh nënkryetar i Gjilanit, Rexhep Kadriu është shprehur se AAK nuk do të përkrahë asnjërin nga kandidatët për kryetar të kësaj komune.

“Pa marrëveshje paraprake AAK, dega në Gjilan, nuk do të përkrahë asnjërin nga kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit dhe AAK do të jetë përcaktuese në këto zgjedhje për të parin e komunës. Me katër këshilltarë komunalë dhe me 5 mijë votat e marra nga besimi i qytetarëve do të angazhohemi maksimalisht për ndryshimin e gjendjes aktuale dhe vazhdimin e projekteve kapitale për Gjilanin, duke përfshirë trajtimin e ujërave të zeza,  autostradën, unazën e jashtme dhe infrastrukturën”, ka thënë Rexhepi për Indeksonline.

Duhet përkujtuar që prej datës 13 fillon edhe fushata për balotazh, votime këto që do të mbahen të dielën e ardhshme apo saktësisht me datën 19 nëntor në mënyrë që 19 komunat e shkuara në balotazh të zgjedhin të parin e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme